Tash e një kohë të gjatë po vlon brenda BFI-së. Heshtja e problemeve, mostransparenca dhe masat e dhunshme brenda një institucioni fetar, siç është rasti me Bashkësinë Fetare Islame (BFI) në Maqedoninë e Veriut, paraqesin një sërë rreziqesh të konsiderueshme për shoqërinë
Nga Mr.Eset Shaqiri
Që nga viti 2020, brenda Institucionit të Bashkësisë Fetare Islame, që kur në krye u instalua nga qarqet e dyshimta Shaqir Fetai, aty vazhdimisht po instalohen masa të dhunshme. Fatkeqësia edhe më e madhe është se nga kjo dukuri e rrezikshme nuk po shqetësohet askush! Të gjithë ata që kanë ftuar në ruajtjen e kushtetutshmërisë së BFI-së janë dëbuar nga puna dhe atyre nuk u lejohet as vizitat e rëndomta në këtë Institucion; të gjithë ata që nuk përkrahin masat e dhunshme dhe antikushtetuese të Shaqir Fetait, ose janë linçuar, ose janë kërcënuar, ose janë shantazhuar. Kësisoj, Shaqir Fetai dëshiron që ta përforcojë një diktaturë përmes së cilës do ta imponojë personalitetin e vet të dyshimtë e të depersonalizuar.
Sot në BFI situata po vlon, sot në komunitetin mysliman mbisundon një përçarje e tmerrshme, një ftohje e akullt karshi besueshmërisë ndaj Institucionit, një anarki totale brenda hartës së deridjeshme të Mez’hebit Hanefi në RMV, degëzime të ideologjive fetare dhe sektarizim të frikshëm të shoqërisë sonë. Filozofia e Shaqir Fetait po dëshmohet se mbështetet në parimin “sa më keq në komunitet aq më mirë për Fetain”!
Pa dyshim, kjo situatë sjell shumë pasoja. Një prej më të frikshmëve është humbja e respektit si pasojë e erozionit të besimit publik. Kur një institucion fetar, që zakonisht gëzon një respekt të lartë në shoqëri, fsheh problemet e brendshme apo përdor masa të dhunshme në emër të “reformave”, apo shuarjes së “rrebelimit të brendshëm”, besimi i publikut në atë institucion dobësohet. I instaluari i dhunshëm, si puna e Shaqir Fetait, gjithmonë e mohon këtë dukuri fatale duke e paraqitur situatën e brendshme si “harmonike dhe të lumtur e të kurorëzuar me plotë suksese”. Tërë këtë veprim e bën jo nga injoranca apo hipokrizia por nga frika se me humbjen e besimit po e humb edhe kolltukun e uzurpuar në aleancë me elementët destruktivë në raport me interesat fetare e kombëtare të shqiptarëve dhe, përgjithësisht, të myslimanëve të vendit.
Nxitja e konflikteve sociale është një problem tjetër që mund të pasojë nga kjo heshtje e problemeve të shumta që kanë shpërthyer brenda BFI-së. Mostransparenca dhe heshtja për problemet e brendshme kanë krijuar tensione brenda komunitetit fetar dhe rrezikojnë të shpërthejnë në dhunë e në vëllavrasje. Problemin që Shaqir Fetai e ka shkaktuar me Myftininë e Tetovës është duke e trashur gjithnjë e më shumë. Pasojat që do të rrjedhin nga kjo çështje, qofshin ato edhe në favor të Fetait, nuk i japin zgjidhje e as fund dhe as nuk do të mund t’i fshehin stogjet e problemeve të rrezikshme që po gëlojnë ditë e më shumë brenda Institucionit të kapur nga injorantët dhe hipokritët. Pra, moszgjidhja e hapur e problemeve dhe trajtimi i tyre me dhunë, duke e involvuar edhe policinë e shtetit, mund të çojë në përçarje dhe polarizim edhe më të madh brenda komunitetit, duke thelluar ndasitë dhe duke rritur rrezikun e konflikteve sociale.
Pa dyshim, tërë kjo situatë do të ushqente nxitjen e radikalizmit dhe ekstremizmit. Kur institucionet fetare veprojnë në mënyrë jodemokratike dhe të dhunshme, duke fshehur probleme e duke gënjyer mbi “unitetin e brendshëm” (a e keni parë se si Shaqir Fetai pas çdo mbledhje farsë të rijasetit të tij, parapëlqen që ta shkrepë një fotografi te shkallët e BFI me të gjithë anëtarët e rijasetit) ato mund të trasojnë terren për rritjen e radikalizmit dhe ekstremizmit. Individët e pakënaqur mund të tërhiqen drejt ideologjive më ekstreme si një formë proteste kundër padrejtësive të përceptuara brenda institucionit fetar. Si kurrë më parë sot në RMV kemi territore të tëra, pra, jo vetëm objekte fetare, që nuk kontrollohen nga BFI, madje as që në to mund të ndikojnë vendimet e “reisit”! Fatkeqësisht, sot kemi edhe xhami private, kemi “objekte fetare” me të cilat Shaqir Fetai koketon heshturazi, duke mos llogaritur fare se kjo mund të sjellë deri te një pasojë tjetër, siç është dëmtimi i integritetit të Institucionit të BFI-së.
Mungesa e transparencës pandyshim që po e dëmton shumë rëndë reputacionin dhe integritetin e BFI-së dhe këtë assesi nuk po e kupton (apo, nuk dëshiron ta kuptojë) Shaqir Fetai. Ky fakt pa dyshim që e ka dobësuar skajshmërisht rolin e tij si “udhëheqës moral dhe shpirtëror” në shoqëri, duke bërë që shumë besimtarë të largohen ose të mos e marrin më seriozisht udhëzimin e tij.
Këto polarizime të shoqërisë si pasojë e veprimeve të fshehta dhe masave të dhunshme, kanë shkaktuar, mjerisht, edhe krizën e vlerave etike. Mjafton vetëm një vështrim mbi komentet e shoqërisë në çdo paraqitje të Shaqir Fetait, apo mbi çdo informatë rreth BFI-së. Komentet janë të shumtë, ofenduese, me gjuhën e sharjes dhe të urrejtjes, jo të denjë për myslimanë të devotshëm e të disiplinuar. Veprimet jo etike të Shaqir Fetait po gjenerojnë përgjigje jo etike edhe te komuniteti i gjërë. Aktualisht, “etikën” po ia ruajnë vetëm do marioneta të instaluara nga masat e dhunshme të cilat Shaqir Fetai i ndërmerr sa herë që ndjenë nevojë për ta përforcuar pozitën e vet në kolltukun e pamerituar. Pra, përderisa BFI-ja e Shaqir Fetait vepron në mënyrë konfliktuoze dhe joetike, gjithësesi që do të kontribuojë në një krizë të vlerave, duke dëmtuar kodin moral që në esencë duhet ta mbështesë dhe promovojë.
Thënë shkurt, heshtja e problemeve, përpjekja që ato të zgjidhen me gjyqe e polici dhe jo me dialog e debate publike, si dhe jotransparenca e BFI-së, së bashku me masat e dhunshme dhe me injorimin e realitetit, paraqesin rreziqe të mëdha për kohezionin social, përparimin demokratik dhe mirëqenien e përgjithshme të shoqërisë. Problemet e BFI-së kërkojnë trajtim të hapur, të ndershëm dhe paqësor për të ruajtur besimin e publikut dhe për të promovuar një shoqëri të shëndetshme dhe të drejtë, jo të sektarizuar e të polarizuar.