Mësimdhënësit të cilët ligjërojnë me prani fizike nga klasa e parë deri në klasën e tretë kanë vëllim të zmadhuar të punës, andaj kërkojnë që në rrogën e tetorit t’u kalkulohet edhe numri i orëve shtesë për shkak të pandemisë. Kryetari i SASHK-ut Jakim Nedellkov tha se klasat sipas protokolleve shëndetësore që parashikojnë maksimum 20 fëmijë në një klasë, janë ndarë në dy grupe, kështu që një mësimdhënës punon mbi 10 orë në ditë.
“Nga një klasë bëhen dy me nga 20 nxënës, nevojitet të ndahen në dy grupe, në fakt nga një klasë krijohen dy dhe një mësues punon me dy grupet. Kjo do të thotë se puna e tij dyfishohet, shpenzon më shumë kohë, shpenzon më shumë energji psikike dhe fizike, andaj kërkojmë nga drejtorët, për këtë punë shtesë, të kalkulojnë kompensim shtesë për pagat”, u shpreh Jakim Nedellkov, kryetar i SASHK-ut.
Ministrja e arsimit Milla Carovska siguron se nuk ka shumë mësimdhënës që e kanë tejkaluar orarin e punës. Ajo shtoi se nëse ka provë për tejkalim të orëve të mësimit, sipas ligjit për marrëdhënie të punës duhet t’u paguhet.
“Kjo është midis njësisë lokale të sindikatës dhe drejtorit të shkollës. Unë i thërras që të ulen së bashku dhe t’i tejkalojnë këto çështjet. Ju bind se nuk ka shumë shkolla ku është tejkaluar numri i orëve të mësimit”, tha Ministrja e Arsimit, Milla Carovska.
Sipas llogaritjeve të SASHK-ut një mësimdhënës për orët shtesë duhet të marrë 5000 denarë shtesë, neto, përkatësisht deri në 8000 denarë shtesë të rrogës bruto. Nedellkov apeloi që mësimdhënësve me sëmundje kronike t’u mundësohet të punojnë nga shtëpia për shkak se gjatë udhëtimit me autobus ose me automjete, janë në rrezik të shtuar nga infektimi. Si problem me të cilin ballafaqohen mësimdhënësit e përmendi internetin jostabil, mungesën e pajisjeve dhe probleme me ngrohje brenda hapësirave.