OKB: 40 për qind e palestinezëve të vrarë në sulmet izraelite janë fëmijë

“Trauma dhe shkatërrimi janë të papërshkrueshme. Ferri në të cilin ndodhet populli i Gazës është një njollë për të gjithë ne, për të gjitha vendet anëtare të OKB-së, veçanërisht për ata që kishin fuqinë ta ndalonin dhe nuk e bënë”

Kombet e Bashkuara (OKB) njoftuan se 40 për qind e palestinezëve të vrarë gjatë bombardimeve izraelite në Gaza që nga 7 tetori kanë qenë fëmijë, transmeton Anadolu.

Në selinë e OKB-së në New York, Raportuesja e Posaçme e OKB-së për Palestinën, Francesca Albanese, ka dhënë informacione për shtypin në lidhje me raportin që ka paraqitur në Asamblenë e Përgjithshme për fëmijët palestinezë.

“Bombardimi i vazhdueshëm i Gazës nga forcat izraelite ka shkaktuar tashmë vdekjen e 5.700 njerëzve, rreth pesë herë më shumë (se viktimat izraelite), dhe 40 për qind e tyre ishin fëmijë. A jemi në dijeni se çfarë po ndodh? Ka 15.000 të plagosur rëndë”, tha ajo.

Raportuesja e OKB-së deklaroi se 1,6 milion palestinezë janë zhvendosur në Gaza që nga 7 tetori, kur rifilluan përleshjet mes Izraelit dhe Hamasit, dhe se këta njerëz nuk kanë akses në ujë, ushqim, energji elektrike dhe ilaçe.

“Trauma dhe shkatërrimi janë të papërshkrueshme. Ferri në të cilin ndodhet populli i Gazës është një njollë për të gjithë ne, për të gjitha vendet anëtare të OKB-së, veçanërisht për ata që kishin fuqinë ta ndalonin dhe nuk e bënë”, tha Albanese.

– Raporti shpjegon situatën e fëmijëve nën pushtim

“Raporti im u përqendrua në ndikimin ndër breza të pushtimit kolonial të kolonëve izraelitë mbi fëmijët në territoret e pushtuara palestineze, çfarë mbetet nga e drejta e tyre për të jetuar në siguri dhe dinjitet”, tha Albanese.

Albanese deklaroi se nga viti 2008 deri më 7 tetor, 1.534 fëmijë palestinezë u vranë dhe 32.175 u plagosën si rezultat i sulmeve izraelite, ndërsa vetëm 25 fëmijë izraelitë u vranë dhe 524 u plagosën në kundërsulme në të njëjtën periudhë.

Francesca Albanese vuri në dukje gjithashtu se “13 mijë fëmijë palestinezë janë arrestuar, marrë në pyetje dhe ndaluar brutalisht nga forcat izraelite që nga viti 2000”.

“Fëmijët palestinezë më pyesin: ‘Pse jemi më pak njerëz? A jemi më pak të vlefshëm?’”, tha Albanese, duke shtuar:

“Kohët e fundit, një toger izraelit i pushtimit tha se numri i fëmijëve palestinezë të vrarë aksidentalisht gjatë operacioneve që synonin eliminimin e terroristëve është i parëndësishëm. Duhet të kujtojmë gjithashtu një deklaratë që ai bëri duke portretizuar fëmijët palestinezë dhe prindërit e tyre si terroristë dhe duke pretenduar se mburojat njerëzore janë shumë të zakonshme në Izrael”.

Leave a Reply