Mbledhje urgjente e Këshillit të të Drejtave të Njeriut
Sulmet e Izraelit në Gaza mund të konsiderohen krime lufte nëse vërtetohet se ato kanë qenë jo proporcionale. Deklarata vjen nga drejtuesja e Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së, Michelle Bachelet, në hapje të një sesioni të posaçëm të Këshillit të thirrur me kërkesë të vendeve me shumicë myslimane.
Deri më tani sipas Bachelet nuk ka prova se ndërtesat civile në Gaza të shënjestruara nga operacionet e Izraelit po përdoreshin nga militantët e Hamasit për qëllime ushtarake.
“Nëse vërtetohet se ishin jo proporcionale, këto sulme ajrore mund të përbëjnë krime lufte”, i tha Bachelet forumit me 47 vende anëtare në Gjenevë.
Nga ana tjetër ajo i bëri thirrje grupit militant palestinez Hamas që kontrollon Rripin e Gazës që të tregojë vetëpërmbajtje dhe të mos ndërmarrë sulme me raketa në drejtim të Izraelit.
Në lidhje me dëbimet e palestinezëve nga Bregu i pushtuar Perëndimor, një prej shkaqeve që nxitën përplasjet mes Izraelit dhe Hamasit, Bacheleti bëri thirrje qeverisë izraelite t’i ndalojë menjëherë.
Bombardimet izraelite në Gaza zgjatën 11 ditë dhe lanë pas një bilanc tragjik prej mbi 250 viktimash dhe qindra të plagosurish, kryesisht civilë.
Që nga fillimi i luftimeve më 10 Maj, autoritetet shëndetësore në Gaza raportuar për 65 fëmijë në mesin e viktimave dhe 39 gra, ndërsa mbi 1,900 vetë u plagosën nga bombardimet ajrore.
Në Izrael autoritetet raportuan të paktën 12 viktima nga sulmet me raketa të Hamasit.