Kryeministri Edi Rama nuk ishte sot i pranishëm në sallën e Kuvendit, kur Presidentja në detyrë e Kosovës mbajti fjalimin e saj.
Gjatë një interviste për Euronews Albania, ajo tha se nuk e kishte vënë re mungesën e tij dhe nuk i kishte ndjekur mediat për ta kuptuar këtë.
“Nuk e kam vënë re në të vërtetë, dhe nuk i kam lexuar mediat, por tani po e di,” – tha Presidentja në detyrë e Kosovës.
Gazetarja Tare e pyeti më tej nëse i dinte arsyet e shkarkimit të shefit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, ajo tha se po, i dinte, por që nuk mund ta komentonte për faktin se bëhet fjalë për një proces të ndjeshëm dhe që kishte nisur prej kohësh.
“Edhe sot kisha një bisedë me kryeministrin e Kosovës [Avdullah Hoti] dhe natyrisht kam dhënë dakordimin për një proces të tillë [të kujdesshëm] dhe kam kërkuar që sa më shpejt, madje urgjentisht, të ecet përpara për emërimin e një drejtuesi të ri që bazohet mbi parimet e profesionalizmit dhe që ka integritet dhe nuk ka lidhje partiake,” – u shpreh Osmani, duke shtuar se për këtë proces do të diskutohet nga e hëna e tutje.