Pandemia e koronavirusit ka shkatërruar 22 milionë vende pune në vendet e pasura. Është ky raporti i fundit që nxjerr Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Rajonal (OECD). Organizata e vendosur në Paris deklaroi se punësimi në vendet e zhvilluara nuk pritet që të arrijë në nivelet që ishte para pandemisë përpara vitit 2023.
“Rimëkëmbja e fortë ekonomike në zhvillim në të gjithë vendet e OECD-së ende nuk do të përkthehet plotësisht në mjaft vende pune të reja për të rikthyer nivelet e punësimit siç ishin në periudhën para pandemisë në shumicën e ekonomive anëtare,” thuhet sipas raportit.
Më tej sipas shifrave thuhet se 8 milionë vetë mbetën të papunë në vitin 2020. 14 milionë të tjerë nuk po kërkojnë punë në mënyrë aktive, thuhet në raport. Në fundit të vitit 2020, numri i njerëzve që ishin të papunë për të paktën gjashtë muaj ishte 60% mbi nivelin para pandemisë. Shifrat janë rritur në çerekun e parë të vitit 2021. Më të prekur janë grupet vulnerable si të rinjtë dhe individët me të ardhura të vogla.
Në vitin 2020, orët e punuara me pagesë të ulët ranë me 28% në të gjitha ekonomitë e zhvilluara. Numri i të rinjve që nuk janë të punësuar, është rritur me 3 milionë duke përsëritur trendin e dekadës së kaluar. OECD raporton se niveli i papunësisë ka rënë nga 8.8% në Prill të vitit 2020 kur ishte piku i valës së parë, në 6.6% në Maj të vitit 2021.
Numrin më të lartë të vendeve të rifituara të punës e kanë Shtetet Bashkuara të Amerikës. OECD ka sugjeruar qeveritë e vendeve të pasura që të trajnojnë punonjësit për punët në industritë e gjelbërta dhe ato dixhitale.