Pasojat e përmbytjeve, nismë ligjore për sigurimin e banesave

Ka nisur lëvrimi i ndihmave humanitare për familjet e prekura nga përmbytjet e ditëve të fundit. Lajmi u bë i ditur në mbledhjen e Komitetit të Koordinimit dhe Menaxhimit të Emergjencave Civile, të mbajtur paraditen e së hënës.

Sipas vlerësimit paraprak në rang vendi janë dëmtuar 65 ura dhe mësimi nuk ka nisur në 27 shkolla për mungesë të kushteve dhe nga kjo përmbytje u vu në pah një problem.

“Argjinaturat, digat e ulta dhe kanalet kulluese mbeten ende problem për t’u zgjidhur” , deklaroi Sandër Lleshi.

Kryeministri Edi Rama ishte i të njëjtit mendim kur shtoi se pavarësisht investimeve të bëra në të gjitha pikat e dobëta të sistemit mbrojtës nga uji nga ana e Ministrisë së Bujqësisë duhen marrë parasysh edhe këshillat e Ministrisë së Mjedisit në të ardhmen.

Dëmtimi serioz i pyjeve, dëmtimi serioz i brezave të gjelbër ka sjellë erozion. Me përparësi shtoi Kryeministri është hapja e shkollave dhe marrja e nismës ligjore për sigurimin e banesave dhe bizneseve nga përmbytjet.

“Jemi ende i vetmi vend që nuk ka një masë të tillë në ligj dhe ku pastaj njerëzit e prekur mbeten në mëshirën e fatit dhe në pritje vetëm nga buxheti i shtetit”, u shpreh Kryeministri.

Por Rama theksoi se Qeveria do të bëjë detyrën e saj në kompensimin e dëmeve.

“Ne do të bëjmë maksimumin, ashtu si edhe herën e shkuar ku nuk lamë askënd pa kompensuar deri në fund për dëmet e pësuara”, tha Rama.

Leave a Reply