PD, Basha prezanton kandidatët në Elbasan, Prrenjas dhe Librazhd

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka nisur një javë intensive të takimit me qytetarët dhe prezantimit të kandidatëve, të cilët do të garojnë nën siglën e PD-së më 21 Qershor.

Mëngjesin e kësaj të hëne, Basha u ndal në qytetin e Prrenjasit, ku prezantoi Bajazit Karriqin, i cili do të kërkojë një mandat të dytë përballë Miranda Rirës së LSI-së.

Më 21 Qershor, tha Basha, nuk do të zhvillohen thjesht zgjedhje në nivel lokal, por është dita e gjykimit të kësaj qeverie, e cila përkeqësoi gjendjen e shqiptarëve në të gjithë drejtimet.

Për Bashkinë e Librazhdit, Basha prezantoi mjekun Fatmir Brazhda, i cili do të jetë përballë Kastriot Gurrës, kandidat i PS-së. Në Librazhd, Basha tërhoqi vëmendjen e qytetarëve për atë që do të ndodhë në seancën plenare të kësaj të enjteje, ku, siç tha ai, bandës së OSHEE-së do t’i jepet e drejta të sekuestrojë shtëpitë e shqiptarëve.

Edhe më i ashpër ka qenë në fjalën e tij kryetari i PD-së përpara qytetarëve të Elbasanit, ku drejtoi akuza ndaj kreut aktual të Bashkisë dhe kandidatit të PS-së për 21 Qershorin, Qazim Sejdini: “Qazim Sejdini ka paguar dyshen Rama-Meta për të rikandiduar në Elbasan”.

Të dy kandidatët për Bashkinë e Elbasanit kanë përvojë në krye të këtij institucioni. Qazim Sejdini qeveris qytetin prej vitit 2007 e në vazhdim, ndërsa Ardian Turku ka qenë në krye të Bashkisë në periudhën 2003-2007.

Leave a Reply