Nga Mark Brolin /
Në Suedi, duket sikur ka kaluar një kohë e gjatë që nga shkurti dhe marsi i këtij viti, kur “ekspertët” qeveritarë besuan se imuniteti i tufës ishte vetëm disa javë larg. Ne ishim kombi i vetëm në botë që po përballej “shkencërisht” me krizën e koronavirusit, pa bllokime të rrepta që pengonin ekonominë.
Duke vepruar kështu, Suedia u bë një kauzë e famshme për liridashësit në të gjithë botën, të cilët e panë këtë sukses të dukshëm si një mospërfillje mallkuese ndaj një statizmi të rëndë, që po zbatohej në shumë vende të tjera.
Por, kur virusi filloi të godiste Suedinë shumë më fort sesa vendet e tjera nordike, narrativa ndryshoi: të njëjtët ekspertë të sektorit publik, nisën të thoshin se niveli i lartë i vdekjeve në atë moment, do të sillte pasoja pozitive pas verës, ndërsa vendet e tjera do të përballeshin me një valë të dytë të Covid-19, suedezët nuk do të dëmtoheshin.
Tani edhe ajo profeci është përgënjeshtruar në një mënyrë dramatike. Suedia dallon midis kombeve të tjera nordike, për shkak të keq-menaxhimit të pandemisë shumë më keq sesa Finlanda, Norvegjia dhe Danimarka. Nuk ka asnjë provë se strategjia e saj ka sjellë përfitime ekonomike, dhe kthesat strategjike po ndodhin në kohë reale.
Qasja ka ndryshuar me shumë vonesë, vetëm prej disa javësh, Suedia aktualisht ka vendosur masa më të rrepta kufizuese sesa fqinjët e saj, përfshirë kufizimin e tubimeve publike në maksimumi 8 persona. Dhe vendimi i fundit u mor nga qeveria pa një rekomandim nga Agjencia e Shëndetit Publik, besueshmëria e së cilës ka rënë fare për shkak të kësaj krize.
Askund tjetër në botë qeveria nuk vendos rregulla më të rrepta sesa ato të rekomanduara nga ekspertët e saj. Në pak javë, epidemiologu kryesor i qeverisë, Anders Tegnell, ka kaluar nga një hero kombëtar në një“kokë turku”për të gjithë. Unë nuk dyshoj se Agjencia e Shëndetit Publik veproi me mirëbesim me reagimin e saj origjinal ndaj Covid-19, por ajo ishte fajtore për të paktën tre gabime thelbësore.
Së pari, e nënvlerësoi rëndë rëndësinë e kërcënimit, dhe madje e zbehu seriozitetin e saj në vend që të rekomandonte parimin e parandalimit.
Gabimi i dytë i madh, ishte këmbëngulja e agjencisë se po ndiqte një qasje shkencore, kur në faktajo nuk përbënte më shumë se sa një dëshirë. Mosrespektimi i këshillave të gati çdo agjencie tjetër të shëndetit publik në botë, pa ndonjë arsye të qartë për t`a bërë këtë, sugjeron më shumë një mendim kokëfortë sesa realisht shkencor.
Së treti, edhe sikur të ishte e mundur të arrihej imuniteti i tufës brenda pak muajsh, siç mendonte fillimisht agjencia, kishte ende një rast bindës për t’u mbyllur herët, kur qeveritë në të gjithë botën po përballeshin me fazën e parë të menaxhimit të pandemisë.
Dhe në fakt, kjo është mënyra se si vendet e tjera nordike shmangën një përhapje eksponenciale të virusit në shtëpitë e të moshuarve. Edhe qeveria ka një pjesë të rëndë të fajit, duke ia kaluar përgjegjësinë e saj për reagim ndaj Covid-19, burokratëve relativisht të rangut të ulët. U takon politikanëve të marrin vendime politike, dhe jo zyrtarëve të tyre. Në një farë mënyre, Tegnell dhe kolegët e tij janë padyshim vetë viktima.
Gjatë gjithë kohës, liridashësit jashtë Suedisë janë përpjekur t`a portretizojnë këtë vendim si një histori suksesi të mosndërhyrjes. Por me këtë qasje, ata vetëm sa kanë zbuluar padijen e tyre për veçoritë e situatës suedeze. E vërteta është se strategjia e Suedisë nuk buroi nga një përpjekje e vetëdijshme liberale, por nga paaftësia e plotë e burokracisë së saj qeveritare.
Problemi real këtu është një tepri e idealizmit teknokratik. Reagimi kaotik ndaj Covid, i detyrohet më shumë përtacisë intelektuale dhe vetëkënaqësisë, që janë pjesë e një burokracie të zhytur në idealizëm.
Përvoja suedeze ofron 3 leksione për pjesën tjetër të botës, në lidhje me rreziqet e lejimit të idealistëve për të drejtuar punët sipas versioneve sintetike të realitetit, në vend të përvojës praktike.
E para ka të bëjë me mitin e bindur se partitë e sotme janë të përçara midis një të majte idealiste dhe një të djathte realiste:në realitet, ato janë të ndara midis dy formave po aq jopraktike të idealizmit, socialist në të majtë dhe progresiv në të djathtë.
Leksioni i dytë është se një koalicion i partive të qendrës së majtë dhe të qendrës së djathtë, nuk është asnjëherë garanci kundër rreziqeve të idealizmit të gabuar. Së fundmi, krizat e shumta të Suedisë nënvizojnë se sa e rëndësishme është të ruhet një distancë e sigurt nga idealistët.
Retorika e nivelit të lartë mund të jetë e dobishme në nxitjen e një turme, keqtrajtimin e kundërshtarëve politikë,apo frymëzimin e besimit në misionin e një qeverie, por mungesa e përmbajtjes do të zbulohet shumë shpejt. Dhe historia duhet t`a bëjë të qartë se idealizmi është më i keq se sa thjesht fëminor. / “CapX” – Bota.al