Shumë media u mjaftuan dje të komentonin vetëm faktet e asaj që ngjau në Parlamentin Europian. Për portalet opozitare, delegacioni i PD demaskoi fytyrën e shëmtuar të qeverisë Rama në Bruksel. Për portalet e majta, PE goditi opozitën, duke i thënë që betejat e saj mos t’i eksportojë në Europë, duke i dhënë fund bojkotit Parlamentar.
Nëse mjaftohemi me kaq, lehtësisht mund të humbasim thelbin e asaj që ndodhi. Delegacioni i PD, tentoi dje të “babalizonte” institucionet europiane duke i bërë pjesë të luftës së brendshme politike dhe këta të fundit, përfshi edhe të djathtët europianë, i kërkuan Pollos që të ndërpriste fjalën, duke shkaktuar largimin e tij të parakohshëm nga salla.
Pyetja që duhet të shtrojmë është përse? Mos vallë Parlamenti Europian është shndërruar edhe ai një vegël në duart e Ramës, ashtu si Lu apo Vlahutin përpara tyre, nëse besojmë propagandën e opozitës?
Një pjesë e përgjigjes është dhënë që dje me vetë gojën e përfaqësuesve europianë. Në Bruksel, nuk e kanë zakon të merren me thashetheme. Ndaj, përgjigja ndaj demokratëve nuk la vend për ekuivok: Nëse keni prova mund t’iu dëgjojmë, por edhe këtë pasi t’i keni dorëzuar këto prova në institucionet përkatëse.
Megjithatë, për dikë që ndjek me pak vëmendje zhvillimet ndërkombëtare, Bashkimi Europian jo gjithmonë ka kërkuar prova përpara se të dëgjojë akuza.
Këtë vit, aktivisti maroken, Naser Zefzafi është nominuar nga Bashkimi Europian për çmimin “Sakharov” për lirinë e mendimit. Kjo pasi ai për disa muaj me radhë denoncoi dhe organizoi protesta kundër korrupsionit të përhapur në vendin e tij. Një vit më parë, fitues i këtij çmimi ishte opozita venezueliane. Lista vazhdon e gjatë, por asnjërit prej tyre nuk iu kërkua që të shkonte në vendin e vet dhe të hapte atje proces kundër regjimit.
Akuzat e tyre ishin të mjaftueshme për BE. Dikush do të thonte që ata luftojnë ndaj regjimeve të korruptuara ku është e pamundur të bësh oponencë, por jo gjithmonë çmime të tilla u janë dhënë personazheve që vijnë nga vende të trazuara ku nuk ekziston e drejta e ligjit. Dhe gjithashtu, shpesh në Parlament janë lejuar që parti të ndryshme europiane të shprehin pikëpamjet e tyre, shpesh në kundërshtim me qeveritë që janë vetë vende anëtare.
Atëherë, arsyeja përse Pollo me mirësjellje u përzu prej sallës nuk lidhet vetëm me vizionin e BE-së se si duhet të funksionojë një demokraci. Përgjigja bëhet e plotë nëse fusim elementin e diskretitimit.
Tentativat e vazhduara të Partisë Demokratike për të postuar luftën e saj politike në Bruksel kanë prodhuar një efekt “ujku, ujku”, që bën që veshët europianë të jenë pak të predispozuar për të dëgjuar retorikën e demokratëve.
Në Bruksel, nuk kanë harruar që PD votoi kundër hapjes së negociatave. Nuk kanë harruar as që PD tentoi të bllokonte në mënyrë të përsëritur vetingun. E këto nuk janë as raste të izoluara.
Për këtë arsye, Partia Demokratike sot shkon në Parlamentin Europian me një imazh të diskretituar, nga strategjia absurde që ajo vetë ka zgjedhur. Me shumë gjasë, edhe vetë Pollo e dinte se cili do të ishte reagimi i Europës, por ajo deklaratë lakonike nuk i adresohej Brukselit, por portaleve të djathta, për t’i dhënë pak miell për të bluar në makineritë e tyre të propagandës.
Që do të thotë se edhe një herë më shumë, për interesa të ngushta politike, PD dëmton imazhin e saj dhe së bashku me të, edhe imazhin e vendit tonë në Europë.
Kjo është një fatkeqësi për çdo shtet, sidomos për një vend me probleme si Shqipëra, sepse herët apo vonë, PD do të ketë me siguri gjëra të vyera për të thënë në Bruksel. Nuk ka asnjë iluzion se qeveria që kemi i bën të gjitha gjërat mirë, por ujku një herë, ujku dy e ujku tre, opozita rrezikon të mbesë memece atëherë kur fjalët e saj do të duhen më shumë. Faji këtu nuk është i Pollos, as i Bumçit përpara tij, por i vetë “timonierit”.
Ndaj, edhe pse e di që nuk do të ndodhë, brenda meje kam një shpresë që kjo do të jetë e fundit herë që do të shkojmë në Bruksel për t’i qitur sytë njëri-tjetrit, në një kohë kur ato forca që duan të na përplasin derrën në surrat, janë gjithmonë e më të shumta.