Në fokus
Te ne shqiptarët, çuditërisht, është krijuar një hendek i thellë dhe i pakapërcyeshëm në mes të politikanëve dhe artistëve, krijuesve, kulturologëve. Pak nga fakti se krijuesit gjithnjë shprehin një refuzim të politikave dhe politikanëve të regjimit, për shkak të mospërfilljes së problemeve kulturore në shoqëri dhe, pak nga fakti se, një pjesë bukur e madhe e artistëve dhe krijuesve shqiptarë janë të “politizuar” partiakisht në po të njëjtin nivel si militantët e thjeshtë të partisë. Në të dyja rastet, nuk është se artistët apo krijuesit janë në distancë epike apo të përafruar deri në absurd, nuk është as se i konkurrojnë njëri tjetrit apo se këshillohen në mes vete, thjesht, ky refuzim apo nënshtrim ndodhë vetëm për shkak të financimeve publike që bëhen në kulturë. Politika thotë: nëse doni financa, thjesht pranoni dhe nënshtrohuni!
Financimi publik i artit, krijimtarisë, kulturës, bëhet edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndonëse ky financim është qesharak në raport me financimet për kulturë që bëhen në BE! Në SHBA artistët dhe krijuesit nuk mund të paramendojnë të përkrahin politikat zyrtare për financim të kulturës. Madje, shpesh herë dinë t’i vënë në lojë që nga presidenti i shtetit e deri te funksionarët e pushtetit lokal. Komuniteti i artistëve, i krijuesve në SHBA është pushtet më vete, ata kanë fuqinë për ta kundërshtuar e mohuar edhe ligjin e luftës, edhe vendimet me interes nacional të presidentit të shtetit. Nuk kemi të bëjmë këtu me ndonjë “rebelizëm” permanent, sepse detyrimet ndaj shtetit i kryejnë një për një, kur shteti është në rrezik apeli për solidarizim nacional që vjen nga bota e artistëve është më i fuqishëm se çdo apel tjetër, kur politikat shtetërore udhëheqin fushatë sensibilizimi për humanitet apo për ndihma konkrete, këtu artistët dhe krijuesit shprehin forcën e “pushtetit” të tyre!
Edhe për kundër faktit se në SHBA artistët dhe krijuesit janë në “armiqësi” të hapur me politikanët e shtetit, megjithatë nuk ka politikan amerikan që nuk e do një foto me artistin, krijuesin, intelektualin kombëtar, qoftë ky edhe oponenti më ortodoks! Presidentët dhe zyrtarët më të lartë të shtetit, shpesh kërkojnë të hanë ndonjë mëngjes, ndonjë drektë, apo, thjesht, të pinë kafe në hapësira publike, sepse në SHBA është një definicion “i shenjtë”, i paprekshëm, që thotë: prijësi nacional është me mandat, artistët dhe krijuesit janë asete kombëtar, pasuri e përjetshme e shtetit!
Të kthehemi te ne! Cili është raporti në mes të prijësit partiak dhe artistëve tanë! Nuk po flasim këtu për ndonjë raport të prijësve kombëtar e shtetëror, sepse ata janë “qenie të papërfillshme” në raport me prijësit partiak! Këta prijës politik edhe mund ta kenë takim me ndonjë artist apo krijues, porse, çuditërisht, këto takime bëhen në zyrën e “prijësit” apo në “studio”! Nuk bën vaki tek shqiptarët e sotshëm që kryeministri, apo kryetari i shtetit, apo kryetari i komunës, të kërkojë një artist apo një krijues që të pinë miqësisht kafe në ndonjë vend publik! Sepse, çoç i duket vetja si i përbuzur, se i devalvuar nga tërë ajo “peshë kombëtare” që mendon se e ka! Madje, ka raste kur takimet e këtilla mund të kurdisen vetëm nëse artisti apo krijuesi është i gatshëm të aderojë në parti!
Liderët tanë frikësohen nga fuqia reale që e kanë artistët dhe krijuesit. Prandaj insistojnë në “shkatërrimin” e kësaj bote, duke i përfshirë në parti. Asnjë person i regjimit nuk shpreh as interesim dhe as nevojë për një bisedë kulturore me një artist apo krijues, qofshin këta edhe kritikuesit më të rreptë të tyre. “Armiqësia e përhershme” në mes të liderit partiak dhe artistit-krijuesit i shton politikat destruktive kundër të bukurës, ndërsa e topitë edhe ndjeshmërinë për kulturë kombëtare.
Në këtë distancë të pakuptimtë në mes të politikanit dhe artistit, në mes të funksionarit të lartë partiak dhe krijuesit si dhe në mos tejkalimin e të gjitha pengesave deri te një tavolinë publike qoftë edhe vetëm për një kafe, mund të lexohet një e vërtetë: artisti, krijuesi i popullit mund të futet në çdo lokal, të ulet në çdo tavolinë e të pijë kafe i qetë, madje dhe të qeraset me kafe nga personi që nuk e ka takuar asnjëherë, kurse lideri partiak, nuk e ka këtë komoditet, nuk e ka këtë mundësi, sepse thellë në vete ndjenë se i ka borxhe të shumta popullatës dhe, në një vend publik, ja që mund të dalë dikush e zëshëm t’ia kërkojë borxhin! Është mirë të jesh me artistë e krijues, sepse je me popullin! /HEJZA/
Foto: Jon Azizaj