Prishtinë, rrënimi i përditshëm i “Pallatit të Rinisë”

Në mungesë të pronarit, “Pallati i Rinisë” në Prishtinë po e humb çdo ditë e më shumë imazhin, nga dëmtimet dhe mungesa e investimeve.

Gjendja është përkeqësuar më shumë prej vitit 2000, kur kjo ndërmarrje u përfshi nga zjarri dhe proceset gjyqësore, sa i përket dëmshpërblimit të pronarëve të lokaleve.

Statusi i Pallatit mbetet ende i pazgjidhur dhe, nga viti 2006 administrohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, megjithëse Komuna e Prishtinës po synon ta kthejë nën menaxhim. Stafi menaxherial aktual i Pallatit kërkon, që statusi i kësaj ndërmarrjeje prej 30 mijë metrash katrorë, të jetë ndërmarrje publike e menaxhuar nga komuna e Prishtinës dhe Ministria e Kulturës.

Drejtori i Përgjithshëm i “Pallatit të Rinisë, Kulturës dhe Sporteve”, Çaush Berisha thotë për “KosovaPress” se, Pallati vazhdon të jetë pa status dhe aktualisht po menaxhohet nga AKP. Sipas tij, për mungesë të titullarit, nuk ka donacione dhe kredi për rregullimin e pjesës që është shkatërruar nga zjarri i vitit 2000. E dëmtuar tanimë, sipas Berishës, është edhe platoja, e cila po pikon në qendrën e bizneseve.

Drejtori i Pallatit thotë se Komuna e Prishtinës nuk ka shprehur interesim rreth tij, meqë nuk është ende nën juridiksionin e saj. Sipas tij, imazhi mund të kthehet nëse është vullneti i mirë si i komunës edhe i Qeverisë. Berisha thekson se nuk dihet ende plani i AKP-së për pallatin. Kjo – sipas tij, – për arsye të mungesës së bordit prej një kohe të gjatë. Mësohet se kjo ndërmarrje nuk mund të privatizohet, pasi nuk ka listë poseduese.

Berisha vlerëson se privatizimi i kësaj ndërmarrjeje do të ishte keq për rininë, duke shtuar se, edhe mund t’i ndërrohet destinacioni.

Stafin menaxherial të kësaj ndërmarrjeje po e shqetësojnë edhe vështirësitë financiare, me bllokimin e llogarive bankare për këtë pallat nga procesi gjyqësor, të cilin e ka humbur në vitin 2012 nga pronarët e lokaleve për djegien në vitin 2000.

Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Xhevdet Pozhari ka thënë për “KosovaPress” se, kjo komunë është duke këmbënuglur që, me ligjin për Prishtinën, “Pallati i Rinisë” t’i takojë për administrim Komunës, bashkë me komunat e tjera, Obiliqin dhe Fushë Kosovën, që kanë investuar në këtë ndërmarrje shoqërore. Ndërsa zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, të kontaktuar nga “KosovaPress” nuk kanë folur lidhur me këtë çështje.

Leave a Reply