PROZATOR I TALENTUAR
Në historinë e shkurtër të tregimit shqiptar të këtyre 50-60 viteve të fundit, Faik Ballanca (1945 -1977), pa diskutim zë dhe ka një vend të veçantë nderi, që gjithsesi do ta konsideroja në këtë rast, si një homazh që i ka bërë atij vepra e shkruar që ka lënë pas. Dhe rezonanca ndjehet. Madje, si në ditën kur u shkruan e u botuan ato, edhe pse kanë kaluar tashmë më shumë se katër dekada. Të përmbledhura në katër vëllime, si “Rrëmbimi” – 1970, “Mbasdite të lagura”- 1971, “Letra anonime” – 1973 “Pritësit e rrufeve” – 1975, plot 45 tregime, janë tashmë pasuria që na la ky prozator i talentuar të shkruara në harkun e një dhjetëvjeçari të vetëm. Përveçse ai shkroi edhe novela e një roman me temë nga realiteti i atyre viteve. Gjithashtu Ballanca njohu edhe botime të tjera si “Tregime të zgjedhura” – 1976, “Perëndia e shtëpisë”. Edhe kjo e fundit është një përmbledhje me tregime të zgjedhura, botuar në Prishtinë më 1985.
Ballanca është tregimtari që shquhet për finesën e tij artistike, për një gjuhë figurative dhe për një frazë jo të ngarkuar. Rrëfimi i tij është e mbetet emocionues. Kjo ka bërë që tregimet e Faikut të lexohen sërish me ëndje, me të njëjtin emocion, sikurse janë shkruar e lexuar më shumë se katër dekada më parë. Do të kujtoj këtu me një lloj nostalgjizmi, tregimet “ Pritësi i rrufeve ”, “Mbama pak pallton çun” , apo “ Rrëmbimi” , “Letra anonime”… të cilat kujtdo mund që ti mbesë në kujtesë, për gjetjen interesante e forcën e madhe artistike, dhe e mesazheve po aq të fuqishme që përcjellin ato me të njëjtën dashuri për lexuesin sot, edhe pse vepra e këtij autori u përmbyll para më shumë se katër dekada, kur ai u nda tragjikisht nga jeta. Por ajo ka gjetur sërish jehonë tek një lexues tjetër e krejtësisht të ri, kryesisht në ribotime.