PS ka sfidë, edhe nëse nuk do të lejohet gara

Partia Socialistë është përfshirë aktualisht në një garë politike e cila më shumë sesa për vendin e kryetarit po zhvillohet për standardizimin e disa rregullave dhe shpërbërjen e modelit monokratik të ndërtuar nga Edi Rama. Dhe sa kohë që dikush hedh publikisht sfidën, është e pamundur që të mohosh edhe garën reale, e cila nuk mund të disiplinohet në shtratin statutor.

Sot mediat bënë të ditur një deklaratë të deputetit Ben Blushi nga Kukësi, ku ai ndodhej për promovimin e librit të tij “Kandidati”.

“Nuk hyn në zgjedhje ai që ka frikë të përballojë garën. Rama e ka çështje paranoje dhe konkurrence. Dyshoj se Rama ka frikë të hyjë në zgjedhje në PS”, tha ndër të tjera deputeti i PS Ben Blushi. Kjo ka një bazë vërtetësie, që faktohet nga historia politike e sidomos partiake e Edi Ramës. Pasi Blushi, por operon me atë model që dikur Edi Rama hyri në lojë për të marrë PS-në e drejtuar nga Fatos Nano.

Edi Rama konkuroi në kongresin e vitit 2003 përballë Fatos Nanos dhe Rexhep Mejdanit jo me ambicien reale për të fituar, por për të “shënuar emrin” në një garë që do të rihapej më vonë. Lëvizjet e mëpastajme olitike të kryetarit të ardhshëm të PS-së ecën në dy linja: kujdes për të kuruar imazhin e qeveritarit më të suksesshëm në Bashki, përballë një kryeministri që sa vinte e diskreditohej si dhe bashkëpunim me opozitën, apo edhe me Ilir Metën për të nxitur opozitarizmin ndaj qeverisë. Në vitin 2005, kur u krye prova gjenerale e kur Ilir Meta e kishte lënë shtëpinë socialiste, Edi Rama, me mbështetjen e Gramoz Ruçit dhe ish-ministrave të Nanos që nuk donin të ndanin përgjegjësinë e humbjes me të, e gjeti rrugën të hapur. Rrëzimi i paketës së ndryshimeve statutore asokohe dhe dorëheqja e Gramoz Ruçit nga detyra e sekretarit të Përgjithshëm, ishte një çmim simbolik që bashkë me thirrjen në drejtim të Pandeli Majkos, i perceptuar si njeri i Nanos, thjesht shërbyen për të fituar kohë.

Çfarë po bën sot Ben Blushi? Ai po shënon emrin në listën e kandidatëve që synojnë postin e kryetarit. Kjo është e rëndësishme në një parti ku asnjë nuk e merr përsipër këtë përgjegjësi. Ben Blushi sot po vë në dukje të metat e qeverisjes socialiste, po flet në emër të socialistëve, duke u kujtuar se “u kanë uzurpuar partinë” disa outsider. Blushi po artikulon pa termat konfliktualë të Kastriot Islamit, atë që është në fakt projekti i Ramës për të dominuara përfundimisht PS-në. Ndaj sfida e sotme e Blushit për kreun e partisë, nuk mund të asgjësohet as përmbahet në referencë të dispozitave statutore, pasi në një formacion politik, sifda ka natyrë mirëfilli politike. Një garë në Kongres do të sjellë me shumë gjasë një rikonfirmim të Edi Ramës, që sot është kryeministrër. Por me çfarë raporti? Sa mund të jetë numri i votave kundër? Të mos harrojmë se për kryetarin voton e gjithë anëtarësia. Do të mjaftonte një 30% pro Blushit që shumëkush ta mendonte deputetin shkrimtar si një kandidaturë potenciale në momentin e ikjes së Ramës nga detyra për shkak të humbjes së zgjedhjeve.  Ky i fundit është kujdesur që të dalë kundër zgjedhjeve të parakoshme, të kritikojë qeverinë, por jo duke flirtuar me PD-në apo LSI-në, të akuzojë Edi Ramën për kriminalizim të partisë dhe Grupit Parlamentar, por të distancohet nga Sali Berisha.

Gjithë një lojë që e lë të hapur perspektivën për një konfirmim legjitim nesër. Kjo është ndoshta vlera më pozitive e lëvizjes së Blushit, diçka që shkon përtej preferencave apo besimit se ai mund të bëjë diçka më mirë nga Edi Rama.

Sfida e tij sot është një garanci se nesër katapultimi i kryetarit kukull, kushdo qoftë ai, Erjon Veliaj, apo Sajmir Tahiri, sa për të përmendur dy emra që lakohen, është shumë i vështirë. Në kushte normale zgjedhjesh është jologjike dhe politikisht e pazakontë që njerëzit të votojnë një ekip humbës. A nuk provon këtë rasti i Edi Ramës në vitin 2005? I ardhur nga jashtë me një model “ndryshe”, ai ishte kandidati i duhur.  Sot Blushi dhe ata që kanë ulur kokën e nuk bëjnë zë nuk janë në varkën e qeverisjes së Ramës. Ndaj nesër do të ketë momentumin e tyre për të ndalur atrofizimin definitiv të një partie që ka hyrë në një rrugë të shtrembërt dhe që shkon kundër vlerave për të cilat u investua deri në vitin 2005.

Leave a Reply