Pse BREGU i Dërvishit s’ka kë ta turpërojë!?

Shkëlzen Halimi

Nëse dramaturgjia italiane nuk mund të paramendohet pa Luigji Pirandellon apo ajo gjermane pa Berthold Brehtin, atëherë as dramaturgjia shqiptare nuk mund të paramendohet pa Teki Dërvishin.

Nëse në shoqëritë normale botimi i veprave të veçanta paraqet festë letrare, mbase edhe kombëtare, te ne për diçka të tillë as që mund të bëhet fjalë. Në fakt, kanë thënë se injoranca është nëna e të gjitha të këqijave ndaj dhe në këtë pjesë të hapësirës shqiptare (të Maqedonisë së Veriut), pse jo edhe më gjerë, injorimi i vlerave kulturore kombëtare merr ngjyrim akoma më të plotë.
Pas 36 vjetëve Shtëpia botuese NOA sjell botimin e dytë të veprës më të spikatura jo vetëm të Teki Dërvishit, por edhe të letërsisë shqiptare, dramën BREGU I PIKËLLIMIT, që lirisht mund të konsiderohet kult vepra e dramaturgjisë shqiptare, për të cilën shkrimtari i njohur, Veli Karahoda, me të drejtë do të konstatojë se BREGU I PIKËLLIMIT nuk është vetëm legatë letrare e Dërvishit, por e një letërsie të tërë. Një kryevepër e letërsisë shqipe.
Dy muaj më parë në Librarinë Nobel të Shkupit ishin dërguar 40 ekzemplarë, kurse në atë të Tetovës (po në Nobel) 60 ekzemplarë. Edhe përkundër shumë njoftimeve për daljen dhe shpërndarjen e kësaj vepre të rëndësishme të letërsisë shqiptare, në Shkup deri tani janë shitur vetëm nëntë (9) ekzemplarë, kurse në Tetovë vetëm katër (4) ekzemplarë. Në Shkup një libër e ka blerë autori i këtyre rreshtave, një historiani Qerim Lita, pesë (me rekomandim të drejtorit Adem Karaga) Teatri Shqiptar, një Diana Toska (Teatri për Fëmijë) dhe për blerësin e nëntë nuk kemi informacion.
Çka të themi për këto të dhëna tejet dëshpëruese. Çka të themi për miqtë e Teki Dërvishit, i cili pjesën më të madhe të jetës së tij e kaloi në Shkup, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për ngritjen e vetëdijes kulturore të shqiptarëve në Maqedoni, pra për miqtë që më nuk ia përfillin as veprën. Çka të themi më tepër kur në Shkup, Kumanovë, Tetovë, Gostivar, Dibër, Kërçovë, Strugë kemi shumë alamet “aktorë” (ndoshta mbi njëqind), regjisorë, dramaturgë, mos të flasim për alamet “shkrimtarë”, për alamet “profesorë” të gjuhës e letërsisë shqiptare, për alamet “studiues” të letërsisë, për teatro, për fakultete artesh, për “universitetet” me mijëra studentë, për katedra të gjuhës e letërsisë shqiptare, për institutet, për shumë të ashtuquajtur artistë, intelektualë, por fatkeqësisht edhe për shumë mbeturina të përfshira nën siglën PSEUDO që e kanë kontaminuar kaq rëndë shoqërinë shqiptare. Çka të themi për gjithë këta që nuk duan t’i kenë në shtëpitë e tyre ato vepra që janë shtyllat e kulturës shqiptare. Çka të themi për gjithë këta që janë mohuese të identitetit të vet. Çka të themi për një armatë të tërë me diploma të marra mbi bazën e analfabetizmit zinxhiror, që nga mësimi fillor e deri të ai sipëror. Mbase është për t’u habitur se si po arrijnë të mbijetojnë këto dy librari në Shkup e Tetovë, sepse në këtë hapësirë shqiptare, librin edhe t’u ndash falas nuk e lexojnë. Ky është realiteti me të cilin fatkeqësisht duhet të pajtohemi.
Kult vepra e Dervishit ,“Bregu i pikëllimit”, që ka muaj që rri në raftet e dy librarive Nobel në Shkup e Tetovë s’ka kë ta turpërojë, sepse turpi që moti është zhdukur….Dhe, aty ku mungon turpi, aty analfabetët me bollëk e shesin “patriotizmin” e tyre të mykur…

Leave a Reply