Pse çalojmë në përdorimin e shqipes?

Midis nesh

Problemi më i madh i mediumeve shqiptare (elektronike e të shkruara) padyshim se është gjuha. Pra, gjuha shqipe, e cila jo vetëm që flitet e shkruhet me shumë gabime, por është e stërngarkuar me fjalë të huaja, të cilat fjalë thjeshtë nuk i bëjnë nder, përkundrazi ia cenojnë themelin mbi të cilën është ndërtuar e ruajtur shekuj me radhë.
Ta mbrosh gjuhën nga ndikimet e jashtme është çështje, mbi të gjitha, kombëtare, sepse në këtë mënyrë mbrohet edhe identiteti ynë që ka specifikat e veta, e që na bëjnë të jemi pafundësisht krenarë.
Absolutisht nuk mbajnë arsyetimet që dëgjohen herë pas herë se kjo është pasojë e efektit të globalizmit, si një nga trysnitë e përditshme për “bashkimin dhe ri-formësimin e botës në një fshat global”.
Askush nuk na detyron që të huazojmë fjalë italiane, greke, angleze, pastaj nga gjuhët sllave e kështu me radhë. Po pse kemi probleme me gjuhën shqipe? Pse nuk dimë ta shkruajmë ashtu siç duhet? Aq më tepër kur dihet fakti se gjithandej, në Tiranë, Shkodër, Prishtinë, Shkup, Tetovë, mbase edhe në Beograd kemi fakultete, katedra, institute të gjuhë shqipe, kemi botime të specializuar, kemi gramatikën e gjuhës shqipe, ku janë të përfshira morfologjia dhe sintaksa e gjuhës shqipe. I kemi të gjitha, por ja që kemi ngelur në hapësirën e nëpërkëmbjes së gjuhës amtare.
Natyrisht, në këtë të keqe ndikim të madh kanë edhe prindërit snob “bashkëkohor”, të cilët fëmijët e tyre, ende pa i mësuar dy-tri fjalë shqip, i detyrojnë ta mësojnë anglishten, sepse, sipas tyre, është gjuhë e perspektivës. Dhe mund të marrim me mend se çfarë pastaj ndodh me këta fëmijë, të cilët një ditë do të mbeten as pa shqipen e as pa anglishten, për shkak të presionit të rrethanave, në të cilat do të gjenden këta fëmijë.
Nëse çalojmë në gjuhë, atëherë është shumë e pritshme që të çalojmë edhe në drejtimet tjera që janë të ndërlidhura organikisht me shqipen. Bie fjala, të çalojmë edhe në përkthime, në letërsi, por edhe në artet tjera.
Kemi nevojë për një vetëdije më të plotë sa i përket gjuhës amtare, kemi nevojë që asaj t’i japim përparësi në çdo aspekt, aq më tepër kemi nevojë ta mbarojmë nga ndikimet e gjuhëve globale, të cilat mund të na ngrenë Kullën e Babilonit në kështjellën tonë gjuhësore…
/HEJZA/

Leave a Reply