LETËR E HAPUR SHAQIR FETAIT, “REISIT” TË INSTALUAR
Nga: Endrit Limani
Jemi në përfundim të Muajit të shenjtë të Agjërimit dhe mbetemi me shpresë që Zoti i Madhërishëm t’i ketë pranuar lutjet e gjithë besimtarëve kudo që gjenden nëpër botë e sidomos i lutemi Madhërisë së Tij që bekimet e Tija t’i lëshojë mbi popullin shqiptarë kudo që jeton.
Ditë më parë, këtu në Zvicër, kishim një delegacion të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut i udhëhequr nga “reis” i instaluar në krye të BFI nga qarqet politike të pushtetit maqedonas, Shaqir Fetai. Iu gëzuam ardhjes së këtyre vëllezërve nga Atdheu, me shpresë se do ta shuanim mallin me bisedat nga afër me këta vëllezër, në iftare të përbashkët duke biseduar për hallet e përbashkëta, për zhvillimin e jetës fetare këtu dhe atje në vendlindje. Isha njëri nga ata ata që mezi prisja ta takojë nga afër “reisin” e ri, të dëgjonim ndonjë sugjerim, udhëzim, apo të na tregojë për zhvillimet më të reja në Bashkësinë Fetare Islame pas ndryshimeve të fundit, të na tregojë për pritshmëritë e reja nga ky institucion, të na tregojë për situatën në vendëlindje, sidomos rreth informacioneve në mediume për vendosjen e kryqit gjiganë në hapësirën ku jetojnë edhe shqiptarët, me një fjalë të na tregojë diç të re, të mirë, që do t’na gëzonte në këtë periudhë pas korona virusit që na ndau nga vendëlindja.
Ky “resi” i ri, Shaqir Fetai, vizitoi edhe Xhaminë Mesxhidi-nur në Frauenfeld këtu në Zvicër, ku pata rastin të jem pjesëmarrës në lutjen e mbrëmjes dhe ndejen e zakonshme që organizohet përgjatë ramazanit pas lutjeve të mbrëmjes. Dhe, në vend që të dëgjojmë diçka të re, sidomos reth pikave të sipërpërmendura, mësuam diçka që nuk do të dishiroja ta dija kurrë. U zhgënjyem dhe më vie turp që kemi një udhëheqës të këtillë. Duke u nisur nga kjo, publikisht dua t’i shtroj vërejtjet dhe indinjatën time që i adresohet Shaqir Fetaut.
E para, ju Shaqir Fetai bashkë me delegacionin tëndë, në bazë të muhabeteve që dëgjuam nga ju, në Zvicër nuk kishit ardhur për t’na takuar si vëllezër, për të ndarë mes vete mendime e për t’na informuar për ndonjë iniciativë të re të Bashkësisë Fetare, natyrisht nëse ka, por doli në shesh se kishit ardhur më tepër në rolin e inkasantëve, vetëm për t’na kërkuar para (fitra dhe zekat) e asesi për t’na vizituar si vëllezër. Asnjë fjalë nuk e tha për ndonjë projekt, për ndonjë iniciativë, për fatin e nxënësve të Medresesë (djem dhe vajza) që po përjashtohen nga Fakultetet e shtetit me arsyetim se Medreseja nuk është e akredituar. Shaqir Fetai, paraja kërkohet vetëm atëherë kur njerëzve përballë ua tregon projektet, planet, aspiratat dhe idetë.
Shaqir Fetai, diaspora në mënyrë permanente dërgoi ndihma dhe para vendëlindjes dhe atë vetëm përmes jush duke ju konsideruar institucion i shenjtë dhe besnik, por gabuam dhe u mashtrum. U mashtruam kur diaspora zvicërane dërgoi ndihma në vlerë prej më shumë se njëqindëmijë CHF për “lagjen e trimave” në Kumanovë që ndodhi më 9 dhe 10 maj të vitit 2015. Çfarë ndodhi pjesa dërmuese u vodhën nga ju dhe imami juaj Imran Ameti. Vallë a nuk ia keni borxh muslimanëve të diaporës t’ia jepni një shpjegim rreth fatit të këtyre parave. Së këndejmi, pse deri më sot Xhamisë së Madhe në Winterthur nuk i dhatë kurrfarë sqarimi për paratë e vjedhura në vlerë prej 7.690 CHF dhe 50 euro nga dy referentët tuaj të Myftinisë së Kumanovës.
E dyta, ardhja yte Shaqir Fetai në Xhaminë Mesxhidi-nur në Frauenfeld nxori në shesh edhe mistere tjera që pa dyshim janë vepra të djallit. Ju e dini se në këtë xhami imam i deritanishëm ka qenë i nderuari hoxhë Sami ef. Misini nga Tetova. Ky teolog i nderuar ndër xhematin e Frauenfeldit njihet si veteran i palodhshëm, iniciatori kryesor në themelimin dhe ndërtimin e kësaj Qendre islamike. Gjithashtu, njihet me sjelljen e tij të butë, miqësinë e mirë me hoxhallarët tjerë këtu në diasporë, modestinë dhe thjeshtësinë. Shkuarja e tij në pension brenda pak ditëve dhe ardhja në vend të tij e imamit të ri, Fejsal Fetai, ishte misterioze për xhematin e kësaj Qendre. Ndërkohë, është bërë e ditur se edhe vetë ish Imami nuk kishte njohuri të bollshme për ardhjen e imamit të ri.
Shaqir Fetai, qëndrimi yt në mesin tonë nxori shumë mistere, pisllëqe dhe idiotësi që po i bëni në dëm të diasporës shqiptare, pra përçarjes së saj, përmes formave të ndryshme. Lexo faktet në vijim:
Imami i ri i instaluar, siç jeni ju instalacion i pushtetit, nuk qenka bërë përmes procedurave të rregullta, përmes konkursit, sepse kunkurs as që është vendosur ndonjëherë në tabelën e informacioneve në objektin e xhamisë, dhe as nuk është publikuar në faqen zyrtare të BFI-së, por sipas informacioneve të sakta, emërimi Fejsal Fetait qenka vendosur në zyrën tënde në Shkup, bashkë me Ministrin e Ekonomisë Kreshnik Bekteshi (kuadër i BDI-së).
Shaqir Fetai, a nuk është turp për ju, deklarata që rrëshqiti nga goja e juaj: “ E arritëm një sukses, ia arritëm qëllimit, e larguam tetovarin, xhaminë e Frauenfeldit e mori Gostivari”. Turp për ty Shaqir Fetai. Ju ia arritët ta përçani xhematin e Frauenfeldit dhe e futët në lojë për interesa meskine tuajat një djalë të ri, Fejsal Fetain, i cili rrugëtimin e tij të jetës si teolog do ta ketë me paqartësi dhe peripeci shkaku i juaj.
E treta, Shaqir Fetai, me që gjithandej kah sillesh e pështilles, jep mirënjohje gjithçfarë njeriut në emër të Bashkësisë Islame, të cilët as që ia dinë adresën institucionin fetarë, atëherë së paku karshi xhematit të Frauenfeldit, apo sa për sy e faqe, pse nuk i dhe mirënjohje Imamit të nderuar Sami Misinit për punën e tij 37 vjeçare në shërbim të fesë. Pse së paku gojarisht, karshi xhematit, nuk e falënderova, pse nuk ja përmende emrin, aha, vetëm pse qenka tetovarë sipas jush. Sjellje tipike kjo e juaja prej udbashi!
E katërta, Shaqir Fetai, në opinionin publik (portale dhe gazeta) po qakullon dosja yte prej UDB-ashi derisa paskëshit qenë student në Sarajevë e dalur nga oficeri Stanko Dragoviq. Ju me pseodonimin “Orao” rëndë i paskeni dëmtuar shokët e Fakultetit, sidomos Nexhat Ibrahimin nga Prizreni dhe Ramiz Alinë nga Tetova i cili si rezultat i spiunimit tëndë u përjashtua nga Fakulteti dhe mbeti pa shkollim. Ndërsa sa i përket Nexhat Ibrahimit dihen vuajtjet e tija nëpër burgjet e Jugosllavisë.
Shaqir Fetai ju kurr nuk u prononcuat për këtë dosje dhe as që e demantuat. Ju nuk e demantuat as dosjen që ua publikuan shërbimet sekrete maqedonase. Ju në bashkëpunim me shërbimet dhe policinë maqedonase i ngritët kurth Sulejman Rexhepit duke u thirrur në faktin siç thoni ju, “plaku matuf qenka martuar me një femër shumë më të re se ai”. Po të pyes, cila vepër është më e shëmtuar, më djallëzore, martesa sipas parimeve islame e “plakut”, apo veprimtaria yte prej UDB-ashi e cila ka bërë që shumë persona të dergjen nëpët burgje, shokët e tu të mbeten pa arsim e shumë zarare tjera që vetëm ti i di.
Na hetove Shaqir Fetai, tamam me atë mprehtësi prej udbashi na hetove, sepse ishim autorizuar një grup prej xhemateve të ndryshme, që kishim vendosur të të mbështesim për muri dhe të na i tregoje të gjitha djallëzitë e tua por, ja që na hetove dhe ike katër ditë më herët nga ç’kishit planifikuar të qëndronit në Zvicër!
E pesta, Shaqir Fetai, populli ynë fisnik e buajr, të cilin golgota, gjakderdhja dhe përpjekja sizife e përcollën ndër dekada për të arritur këtu ku është, nuk e meriton që një UDB-ash të jetë në krye të Bashkësisë Fetare Islame, e sidomos teologët e vendit. Vazhdimësia juaj, është nënçmim për komunitetin, është përçmim për Bashkësinë Fetare islame, për hoxhallarët dhe shqiptarët në përgjithësi. Bashkimi Demokratik për Integrim që është në pushtet e që thirret në emër të luftës duhet ta korigjojë veprimin e vet me ty, ta korigjojë veten se kujt ia vë gishtin për të qenë reis ulema, sepse do ta mallkojë Zoti dhe historia. Hoxhallarët duhet përfundimisht të çelin sytë e zemrës, të zgjohen nga gjumi dhe apatia disa vjeçare, duhet ta ngrejnë zyrin e tyre për këtë garniturë të tuhajësuar, ta ngrejnë zërin kundër vjedhjes, kundër shitjes së vakfit, kundër keqpërdorimit të fitrit dhe zekatit. Zoti na mbarësoftë si popull! Zoti ta bekoj popullin shqiptarë!/TetovaSot/