Reagim / Farsa e radhës e reisit të falsifikuar

Sot u kurorezua tërë veprimtaria antikushtetutare e cila tash e sa kohë po zhvillohet në emër të islamit në vendin tonë. Fatkeqësisht, kësaj farse i dhanë dozë legalizimi anëtarë të pushtetit, madje edhe vetë kryeministri përmes përfaqesuesit të vet. E di tërë bota se Shaqir Fetai erdhi në krye të BFI-së falë heshtjes së organeve të drejtësisë karshi shkeljeve brutale të Kushtetutës së BFI-së, me të vetmin qëllim për ta shprehur solidaritetin me të gjithë elementat antiislamike në vend.
Këshilli për Mbrojtjen e Kushtetutshmërisë së BFI-së do të vazhdojë edhe më tej me aktivitetin e vet shumë të sinqertë dhe fisnik, do të komunikojë me të gjithë organet dhe institucionet e BFI-së, me të gjithë faktorët relevant të vendit dhe ndërkombëtarët, për ti dëshmuar të gjitha shkeljet kushtetutare të cilat kurorëzohen me betimin e reisit të falsifikuar se, këto shkelje dhe veprime antiislame, të cilat mund ta iritojë tërë popullatën myslimane të vendit, do ta vazhdojnë edhe më tej, tashmë me bekimin edhe të pushtetit.
Shkeljet kushtetutare që gjeneruan një reis të falsifikuar nuk mund të mbulohen as edhe me prezencën e përfaqësuesve të bashkësive simotra të rajonit, të cilët, nuk mund ti dinë punët dhe raportet brenda BFI-së. Mosprezenca e ish-reisul ulemasë në ceremoninë e dorëzimit fals të Menshurës, mosprezenca e Myftiut të njërës prej Myftinive më të mëdha të vendit, flet se ky akt i betimit nuk ka vlerë, nuk ka legjitimitet, dhe nuk mund ta legalizojnë as bashkësitë e tjera fetare dhe as pushteti, sepse, shumë shpejt do të dëshmohet se në BFI problemet do të shpërthejnë dhe do të dalin jashtë kontrollit pikërisht për shkak të përzierjes së politikave të ndryshme destruktive.
Këshillit për Mbrojtjen e Kushtetushmërisë së BFI-së i vie shumë keq që, në vend të një urimi vëllazëror për reisin e mundshëm në kuadër të legales dhe legjitimes, po i drejtohet opinionit të gjërë me këtë reagim për të shprehur zhgënjimin dhe kundërshtimin e pathyeshëm kundër shkelësve dhe legalizuesve të shkeljeve të Kushtetutës së BFI-së.

Me zhgënjim të thellë –

Këshilli për Mbrojtjen e Kushtetutshmërisë së BFI në RMV

Shaban Aziri, kordinator
Eset Shaqiri, zv/kordinator
Mirdi Brao, zv/kordinator

Leave a Reply