Refugjatët sirianë e irakenë në Preshevë: Nuk kthehemi në vendin tonë

Mijëra refugjatë çdo ditë kalojnë kufirin e Maqedonisë me Serbinë për të ikur në vendet perëndimore. Ata detyrohen të ecin në këmbë dhe për shkak të ligjit që ndihmën e konsideron si vepër penale shumë qytetarë kalojnë pranë tyre, por nuk mund t’i ndihmojnë.

 

Megjithatë, një grup i madh i të rinjve nga Presheva janë organizuar me ndihma dhe me transport deri në strehimin e parë ku ata marrin dokumentet e tyre.

 

“Këta refugjatë kanë 3 muaj rresht që kalojnë pranë shtëpive tona dhe duke qenë se me ligj nuk i ndihmojmë dot me shtëpi, kemi vendosur t’i ndihmojmë me ushqime dhe autobusë që janë gratis deri në qendrën për pranimin e refugjatëve”, deklaron aktivistja Dafina Aliu.

 

Emir Yasen Muhamed ka udhëtuar për javë të tëra me gruan e tij nga Iraku, me të cilën presin edhe një fëmijë. Ata thonë se vendlindja e tyre ka marrë fund dhe duan të ikin për në Evropë.

 

“I kam thënë gruas sime që nëse Ikim nga Iraku, nuk do të kthehemi më kurrë. Gjatë rrugës kemi takuar njerëz të mrekulleshëm që na kanë ndihmuar me ushqime dhe me gjithçka. I falenderoj shumë”, thotë Muhamed.

 

Presheva është duke u përballur me mbi 3 mijë refugjatë në ditë. Karvane njerëzish që arrinë në këtë vend dhe vazhdojnë më pas. Ndihmat janë të vogla, por njerëzit i ndihmojnë me aq sa kanë mundësi.

 

Serbia ka deklaruar se nuk mund të përballet e vetme me fluksin e refugjatëve dhe janë krijuar tensione mes shteteve të ndryshme. Por, numri i tyre duket se nuk do të zvogëlohet.

 

“Ka shumë njerëz, grupe të mëdha që janë duke ardhur këtu”, thotë më tej një refugjat nga Siria, i cili identifikohet vetëm me emrin e tij, Yaser. Shumica prej tyre thonë se nuk do të kthehen në vendet e origjinës pasi nuk kanë shpresë që do të vendoset paqja.

Leave a Reply