REMZI SALIHU, për frymëzimin, procesin krijues, kohën…

FRIKË NGA FJALA…

(Enkas për HEJZA–n)
Pa dashur të hyjë në detaje dhe definicione të ndryshme për ta qartësuar apo zbërthyer termin inspirim apo frymëzim, do të mundohem të jap një mendim të thjeshtëzuar, ashtu siç e ndiej unë nga përvoja jetësore. Ndoshta kjo që themi tani është term paksa i klisheizuar që si zakonisht u bëhet pyetje autorëve që merren me kreativitet dhe art. Por, është edhe pyetje provokative që më mban peng një kohë të gjatë. Inspirimi është njohje e papritur, ide ndriçuese, mendim apo dhunti hyjnore, që njeriun e nxitë për një veprimtari mendore, e cila pastaj skalitet apo qëndiset nën vetëdije, si frymë e koordinuar midis jetës, shpirtit dhe mendimit. Me fjalë të tjera, është një prurje e ngjeshur momentale që në fund derdhet për të tjerët si kreativitet artistik. Pa këtë fenomen jeta jonë do të ishte shumë e varfër, kështu që inspirimi mund të bëhet edhe përjetim jetësor. Mjafton të dalim nga shtëpia, të na dalin parasysh shumë fotografi, ngjarje, imazhe të ndryshme, të cilat hyjnë në ne pa kushtëzime, si forma magjike dhe, padyshim, ato ndodhi strehohen në brendinë e shpirtit si të veçanta. Njerëzit kanë nevojë për inspirime që do t’u shërbenin më tej për të krijuar ide të reja apo për të hapur shtigje të panjohura deri më tani. Kështu njeriut i duhet përherë ndriçim jetësor për të krijuar serotoninën e nevojshme, gjegjësisht për të ngjeshur në vete hormonin e lumturisë, i cili do të mundte t’i shërbente si fanar nëpër ditët e errëta. Inspirimi nuk mund të mbetet i qëndrueshëm dhe i gjatë, inspirimi ndodh vetëm njëherë, në moment të caktuar, pastaj ai nuk mund të futet në xhep dhe të konservohet në një sirtar. Inspirimi kërkon lirinë e vet, për ta bërë njeriun të gjallë dhe produktiv.
Nuk e di tanimë a është temë e duhur për momentin poezia, që të mund të ndikon pozitivisht në shoqëri, posaçërisht për një masë të gjerë lexuesish. Mua më duket se lirikë dhe vargje lexojnë vetëm ata që merren me këtë zhanër. Megjithatë, edhe këto njerëz që merren janë një armatë e madhe krijuesish, apo vargëzuesish, kur kemi parasysh se secili katund i ka më tepër se dhjetë autorë që merren me këtë kreativitet sublim të shoqërisë sonë. Por, mendoj se lirika në esencë sjell diçka thelbësore që na tundon nëpër momente të ndryshme të jetës sonë. Secili që merret me këtë zanat mundohet të rimojë apo mbarështojë mendimin e vet, që kryesisht përmes gjuhës figurative ta ndryshojë botën, por sa ia arrin këtij qëllimi në këtë ndërmarrje të rëndë, varet prej talentit dhe dijes që posedon. Krijuesit janë përcjellës dhe dëshmitarë të kohës dhe të shumë ngjarjeve që ndodhin në këtë universin tonë. Ngarkesa e tyre është e shumëllojshme, prandaj edhe katapultojnë në vargjet e tyre në forma të ndryshme. Ka poetë të angazhuar që shkruajnë për ngjarje të caktuara të jetës dhe prej atyre që poezinë e shkruajnë vetëm si art i bukur, të themi kështu “a l‘art pour l’art”, por edhe këto prurje, skajshmërish artistike, kanë të bëjnë me poezinë tradicionale dhe atë eksperimentale. Vlen të themi se poezia e mirë nuk ka kohë dhe vlerë të caktuar, ajo mund të jetë e vlefshme për çdo kohë. Mbase njëra prej pyetjeve ngacmuese që më shtrohet mua se nga e gjej unë lirinë e frymëzimit, tani më jep shkas dhe mundësinë të përgjigjem ashtu siç e kuptoj dhe ndiej këtë aktivitet. Të themi kështu, njeriu sapo del në rrugë i vetmuar apo me të tjerë, mund të shohë edhe një gjë të vogël dhe prej saj të marrë frymëzim. Dikush më shumë e dikush më pak ndeshet me gjërat që e frymëzojnë. Jeta, si e tillë që kemi tani, është shumë dinamike, ndaj brenda një çasti të vogël ajo ngarkohet me tema e motive të shumta dhe na nxitë për të shkruar diçka të rëndësishme, që vazhdimisht na preokupon. Ngandonjëherë na frymëzon edhe zhurma e makinës kositëse e fqinjit. Pra, çdo lëvizje e njerëzve dhe teknikës, në kohë dhe hapësirë, e robëron fantazinë tonë të përditshme dhe krejt kjo zhurmë imponuese të ngacmon për të ndarë vëmendjen për atë fenomen.
Nëse më pyetni mua se si e shkruaj poezinë, kjo është vështirë të thuhet, të themi kështu, me pak fjalë se është lehtë, kur ke parasysh të gjitha teknikat e mundshme të skalitjes apo qëndisjes së një krijimi artistik. Këtu me rëndësi është se si do ta saldosh gjuhën tënde nëpër vargje apo reshta dhe çfarë force dhe mesazhi shkëlqyes duhet t’i japësh lexuesit. Tani kur jemi në këtë mendim përgjegjësie më kujtohet një poet gjerman Hans Magnus Enzensberger, i cili duke kamxhikuar politikanët e ndryshëm të kohës, e shkruan poezinë “Die Scheise” (muti), apo Joseph Brodsky, i cili ka një poezi për një “gotë uji”, ose Ali Podrimja, te përmbledhja poetike “Fjala” me poezinë “karrikja”. Me fjalë të tjera, krijuesi nuk ka një recetë të caktuar për ta shkruar një poezi. Secili poet percepton gjërat në mënyrën e vet dhe në mënyrë personale i mbarështon ato vargje poetike apo rrëfime prozaike. Një poezi e mirë neve duhet të na kushtëzojë që me fuqinë e gjuhës së saj shprehëse botën ta ndryshojmë ose reformojmë në mënyrën më të mirë të mundshme. Poezia duhet të na befasojë me guximin e qasjes, bile ajo ngadonjëherë mund të shpërthejë vrullshëm nga një hapësirë e kufizuar e frikës dhe pasojave të saj deri te përmasat e ndikimeve të fuqishme për të ndryshuar diçka që është e vlefshme për shoqërinë. Më parë në sistemet totalitare fjala e lirë ka qenë e kufizuar dhe shumë autorë kanë pësuar keq, ka pasur edhe prej tyre që edhe janë vrarë. Kjo situatë e trishtë është shfaqur në të kaluarën, por kjo katrahurë ndodh edhe sot nëpër disa vende ku mungon liria e fjalës. Pa lirinë e fjalës nuk mund të kemi art të mirëfilltë, por edhe keqpërdorimi i lirisë, ngandonjëherë, sjell anarkinë dhe kiçin artistik të vrazhdë shoqëror. Prandaj, poezia e mirë nuk shkruhet me diktate predikuese, por nuk duhet as të devalvohet e keqpërdoret fuqia e saj. Poezia ka finesa të ndjeshme artistike për të dhënë diçka të bukur dhe të pranishme për një jetë më të gjatë të saj, mbase ajo edhe duhet të ketë ndriçim jetëgjatësie, të lëviz nga momenti i shkruar, të ketë mundësinë refleksive, përmasë pluraliste dhe të perceptohet me vëmendje nga të tjerët. Ndaj sot, një koment apo pëlqim poezie nëpër muret apo portalet e ndryshme sociale, mund të jetë shkas, provokim nxitës, për të vazhduar të merresh me kreativitetin e artit të mundshëm. Por edhe një intervistë fiktive nga ndonjë autor mund të bëhet një hap drejt rrugës së interpretimit të kësaj gjinie letrare sublime.
Të talentuarit që merren me kreativitet, frymëzohen në mënyra të ndryshme dhe i perceptojnë gjërat ashtu siç i ndiejnë në kohë dhe hapësirë. Ka individ që frymëzohen kur shkojnë rreth varrezave ose duke i shikuar varet e hapura, ka të tjerë që frymëzohen duke vëzhguar një lule apo një luadh me lulëkuqe. Dikush tjetër frymëzohet nga ndonjë katarakt dhe përplasja e ujit nëpër shkëmbinj, ndonjë tjetër frymëzohet në një ndeshje automobilistike, etj. Të gjitha këto detaje të dhëna, janë faktor inspirimi, ku për bazë kanë përjetimin, mendimin, idenë dhe lajtmotivin. Por të gjitha këto shkaqe imponuese vishen me mjete gjuhësore të rafinuara, kryesisht duke përdorur teknikë dhe mundësi më të përshtatshme poetike shprehëse. Çdo poezi apo varg ka edhe përgjigjen e saj, ashtu siç e ka menduar autori vet. Lirika në këtë rast shndërrohet në frymëmarrje, gëngëtim dhe fascinim, e cila mund të arrihet vetëm me gjuhën e saj vezulluese.
Njerëzit që i përcjellin fenomenet dhe ngjarjet që ndodhin rreth tij, janë në proces të mundësisë së zhdërvjelltësisë për interpretimin e lehtë të gjërave, prandaj gjatë qasjes nuk kanë pengesa dhe vështirësi shkencore për t’i zbërthyer motivet e shumta që gjenden brenda një krijimi artistik. Në këtë rast, poezia bëhet e kuptueshme dhe tërheqëse, posaçërisht kur ajo provokon dhe bëhet mjet shtytës në komunikim artistik. Interpretuesi i mirë nuk kënaqet me gjëra sporadike, por shpalon me kureshtje shigjetat kuptimore, refleksive të autorit. Në botëkuptimin e Umberto Ekos, “vepra e hapur” është ajo që lexuesit i lejon të kompletojë atë dhe që nuk e kufizon narrativën/rrëfimin dhe interpretimin. Kjo qasje është në përputhje me “estetikën e pranimit” që përkthehet në idenë se vepra e artit, nga momenti kur lëshohet nga krijuesi, krijon një jetë të pavarur, të veten, të ndarë nga krijuesi dhe kuptimi i saj gjenerohet nga tërësia e çdo një leximi dhe interpretimi individual i saj. Për mua, proces është dimensioni disiplinor i vetes për të krijuar art të mirëfilltë. Mbase kjo ndërmarrje kreative është e lidhur fortë me përvojën estetike të artit dhe lirinë artistike të krijuesit, ndaj pyetja juaj “vepra në proces” nuk është vetëm ajo gjendje e tanishme që shihet apo përcillet si punë kreative, nëpër media e mure të ndryshme sociale, por është edhe puna permanente që duhet të sublimohet, si tërësi arti në një vepër të caktuar në të ardhmen. Nuk jam prej atyre individëve të “talentuar” që për çdo vit të nxjerri para lexuesve nga një vepër. Shumë frikë ia kam fjalës, e cila e ka peshën e rëndë dhe përgjegjësinë e madhe në ngritjen apo uljen e një individi që merret me shkrime. Edhe pse fjala që del nga brendia e jonë duhet të ketë guximin e saj të vlefshëm, për t’u shpërndarë lirshëm dhe për të ndikuar pozitivisht te të tjerët, por mbi të gjitha, ajo duhet të njihet mirë nga mjeshtrit që e përdorin apo lakojnë atë nëpër veprat e tyre.
Çdo autor i ka mjetet e veta shprehëse për të derdhur tema e motive para lexuesve, të cilat janë ngjizur me shumë vëmendje në një krijim të caktuar nga realiteti dhe plasticiteti fleksibil i fiktives së grumbulluar, në brendinë kreative të autorit. Jeta dhe rrethi ku jetojmë e ngacmon përherë krijuesin për të dalë me ide dhe krijime të reja. Rrethanat ngandonjëherë na imponohen pa dëshirën tonë. Ato bëhen tablo frymëzimesh të shumta, ku prehen apo mrizojnë idetë apo frymëzimet e një krijuesi. Këto atome vibruese në brendinë e autorit vjen koha të nxiten apo shpërthejnë të pareshtura në punëtorinë kreative të tij, që pastaj me gjuhë e stilin e vet të dalin në skenë, kryesisht duke i përdorur ato mjete gdhendëse apo ngjyra të përshtatshme figurative artistike. Këtë gudulisje arti, e ka të inkarnuar në thellësi të vetes çdo individ që merret seriozisht me kreativitet artistik. Padyshim ndjenjat janë të ndryshme dhe kanë shijet e veta të pranimit të këtyre efekteve ndikuese te qenia njerëzore, ndaj nuk e lënë pa e ngucë apo ngacmuar edhe çdo krijues, gjatë derdhjes së refleksioneve poetike. Fjala e krijuesit është përgjegjësi e madhe, mbasi të shpërndash ide dhe kuptime duhet të kesh njohje dhe lexim permanent artistik, prej mjeshtërve të vërtetë të artit.
Teknologjia dhe të arriturat e shumta jetësore e shoqërore, ndërhyjnë nëpër lëvizjet tona jetësore. Padyshim se këtu janë situata dhe ngjarje që përplasen në brendinë tonë në mënyra të ndryshme, herë në formë spontane e herë në mënyrë befasuese. Kështu përjetimi i gjërave dhe botës, që është me gjallesa të shumta rreth nesh, na ngjall apo nxitë refleksione moderne dhe dinamikë të vëzhgimit të gjërave, kundrejt trajtimit artistik të jetës. Janë argumente dhe fakte jetësore para të cilave njeriu e ka të pamundur heshtjen apo reagimin e vet. Para nesh shfaqen drama jetësore që senzacionalizojnë fuqishëm kureshtjen e njeriut, sidomos këtu te këto gjëra atraktive, më shumë frymëzohen individët që merren me art dhe shkrime kreative dhe në mënyrë interaktive përplasen në brendinë e tyre fuqishëm. Mendoj se përjetimi mbetet një ndjenjë subjektive individuale, e cila përherë ngarkohet me figura dhe imazhe të tanishme jetësore, nga të cilat e kemi të pamundshme ikjen dhe heshtjen tonë.

Leave a Reply