Ditët e fundit Europa po përballet me një rritje rekord të infektuarish, një trend më i madh rritës sesa periudha e Mars-Prillit. Italia ka njoftuar masa të reja të ashpra për të shmangur rritjen e infektimeve. Kryeministri i vendit Giuseppe Conte deklaroi se masat e reja janë të nevojshme për të shmangur një bllokim të ri. Këto masa vijnë pasi vetëm në 24 orë u regjistruan 11.705 raste të reja të prekurish. Italia deri më tani ka regjistruar 414,000 raste dhe 36,500 vdekje.
Conte theksoi se mbajtjes së maskave, distancës dhe higjienës personale duhet që t’u kushtohet më shumë vëmendje. Masat e reja përfshijnë mbyllja e shkollave dhe kopshteve ku do aplikohet mësim online. Baret dhe restorantet mbyllen në mesnatë.
Grumbullimet do të jenë vetëm me gjashtë persona. Ceremonitë fetare, dasmat, konferencat, festivalet dhe sportet amatore do të pezullohen. Po ashtu të mbyllura do të qëndrojnë edhe pishinat dhe palestrat. Franca po ashtu ka shënuar një tjetër rekord të infektuarish edhe pse në 9 qytete po aplikohet shtetrrethimi. 29.8 mijë persona të tjerë të infektuar u regjistruan në këtë 24 orëshin të fundit. Nëntë qytete të mëdha franceze, përfshirë kryeqytetin Paris, janë nën një shtetrrethim nga ora 21:00 deri në 06:00 për të paktën një muaj. Kushdo që shkel karantinën do të gjobitet me 135 €.
Në Zvicër, që nga dita e djeshme ka hyrë në fuqi mbajtja e maskës me detyrim edhe në ambientet e jashtme dhe grumbullimet për më shumë se 15 persona është rreptësisht e ndaluar.
Qeveria çeke do të presë dy javë përpara se të vendosë nëse një bllokim i plotë do të ishte i nevojshëm. Vendi aktualisht ka shkallën më të lartë të infeksionit me koronavirus në Evropë dhe ka mbyllur pjesën më të madhe shkollave dhe institucioneve të tjera.
Në Irlandë një vendim për masat e reja pritet të merret sot, ku qeveria po mendon që vendi të kalojë menjëherë në fazën 4, që do të thotë mbyllje e çdo aktiviteti jo të rëndësishëm. Këtë fundjavë, edhe Gjermania vendosi një rekord të ri sa i takon rasteve të reja ndërsa kancelarja Merkel iu kërkoi qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin udhëtimet.