Gjatë javës së kaluar 5003 raste të reja dhe 171 viktima
Maqedonia e Veriut, me rekomandim të Shtabit të Krizës, ka ndaluar të gjitha fluturimet nga Britania e Madhe, me qëllim të parandalimit të tipit të ri të koronavirusit, që sipas autoriteteve shëndetësore britanike është më i rrezikshëm se SarsCov-2. Gjithashtu të gjithë pasagjerët që do të arrijnë nga Britania e Madhe do të duhet të vetëizolohen për 14 ditë. Kryeministri Zoran Zaev është prononcuar rreth operacionit të furnizimit me vaksina, për të cilët tha se shteti ka ndarë mjete dhe se nuk do të priten grante ndërkombëtare.
“Shteti përveç fondeve të siguruara për 833,000 vaksina, të cilat i ka ndarë po ashtu ka ndarë edhe 1 milion euro shtesë për furnizimin me insulinë dhe për të mbetur rezervë, 60 milion denarë për t’i shfrytëzuar për furnizimin e vaksinave shtesë. Qëndrimi ynë nuk është të mos presim për grante dhe të paguajmë vet, duke pasur parasysh se kemi mjete për t’i marrë vaksinat më shpejt”.
Në Maqedoninë e Veriut, autoritetet e shëndetësisë njoftojnë për rënie të transmetimit të virusit dhe infektimeve të reja, por shqetësuese vijon të mbetet numri i lartë i viktimave nga Covid-19. Gjatë javës së kaluar, nga e Hëna deri të Dielën, sipas njoftimeve janë shënuar 171 viktima dhe 5003 raste të reja me Covid-19.