Objektivi i tyre ishte të gjenin një kurë për të luftuar kancerin, por aktualisht, e gjithë bota e njeh këtë kompani për zhvillimin e vaksinës së parë kundër koronavirusit.
Themeluesit e kompanisë gjermane BioNTech, Ugur Sahin dhe Ozlem Tureci, tashmë e kanë përqendruar vëmendjen tek gjetja e një kure për kancerin. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Dilge Timocin, bisedoi me zotin Ugur Sahin rreth përpjekjeve të kompanisë për të gjetur një kurë kundër kancerit.
Ugur Sahin dhe Ozlem Tureci hynë në histori duke zhvilluar vaksinën kundër koronavirusit. Aktualisht, kompania e tyre BioNTech po rikthet tek objektivi i mëparshëm, për të gjetur një kurë kundër kancerit.
Zoti Sahin, i cili mori pjesë në një takim shkencor për kancerin në kryeqytetin amerikan, thotë se synon të bashkojë teknologjinë mRNA me terapinë CAR T-Cell, që zakonisht përdoret për të trajtuar disa lloje kanceresh në gjak.
Në një bisedë me Zërin e Amerikës, ai thotë se qëllimi i kompanisë BioNTech është bashkimi i këtyre dy teknologjive për të krijuar një kurë që lufton tumoret.
“Ende nuk ka prova të shumta që qelizat CAR T funksionojnë ndaj tumoreve. Por ne besojmë se kombinimi i objektivit të duhur plus vaksina, mund të ndihmojnë për të tejkaluar këtë kufizim.”
Terapia CAR T kërkon heqjen e qelizave T nga pacientët, modifikimin gjenetik të tyre për të sulmuar kancerin dhe më pas rifutjen e tyre tek pacienti për të sulmuar tumorin.
Zoti Sahin thotë se është përqendruar tek proteina Claudin-6 dhe se po vazhdon hulumtimet për të bashkuar terapinë CAR T me një vaksinë për të rritur aftësitë e trupit për të prodhuar qeliza CAR T dhe zgjatur afatin kohor që ato sulmojnë kancerin në trup.
“Claudin-6 gjendet në qelizat tumorale. Përmes CAR T synohet që receptorët të zbulojnë Claudin-6 dhe të asgjesojnë qelizat tumorale. Nëse qelizat CAR T injektohen, ato i njohin dhe i asgjesojnë qelizat tumorale, por pas një kohe ato ndalojnë së funksionuari.”
Efekti anësor i terapisë me qeliza CAR T, thonë ekspertët, është se mund të prodhojë toksicitet dhe mund të shkaktojë inflamacion të rëndë dhe enjtje të trurit, çfarë mund të jetë fatale.
Hulumtuesit thonë se në qelizat e shëndetshme, mungesa e proteinës Claudin-6, ku është e përqendruar edhe puna e kompanisë BionNTech, duket se ul rrezikun.
“Hulumtimet tona tregojnë se është ende herët dhe se ky lloj trajtimi duket të jetë i sigurt. Në provat klinike kemi vënë re tkurrjen e tumoreve, një shenjë premtuese”, thotë për Zërin e Amerikës zoti Sahin.
Ai shton se synimi nuk është vetëm zvogëlimi i tumorit, por që të mos kthehet më. Në provat klinike, thotë ai, marrin pjesë 20 deri 25 pacientë. Përzgjedhja e tyre varet nëse në qelizat tumoriale vërehet proteina Claudin-6.
“Në provat klinike kemi pacientë që vuajnë nga kanceri i vezoreve, i mitrës,ose organeve gjenitale. Dhe po përfshijmë edhe pacientë me një lloj të rrallë kanceri gjiri dhe lloje të tjera”, thotë për Zërin e Amerikës zoti Ugur Sahin.
Në takimet vjetore të Shoqatës për Imunoterapinë e Kancerit në Uashington, zoti Ugur Sahin prezantoi disa të dhëna paraprake nga studimet klinike.
Sipas zotit Sahin, zakonisht duhen tre deri katër vjet para se trajtimi të marrë miratimin për përdorim të gjerë. Në shtetet e Bashkuara terapia me qelizën CAR T kushton afro 400 mijë dollarë. Ende nuk mund të parashikohet sa mund të kushtojë terapia e re nga kompania BioNTech nëse miratohet në të ardhmen/VOA