Sëmundjet e veshkave, parandalimi dhe mjekimi i tyre

Sëmundjet kronike të veshkave po bëhen çdo ditë e më shumë një problem i shëndetit publik në mbarë botën, të cilat shoqërohen me një numër të lartë të vdekshmërisë.

Sëmundja kronike e veshkës fillon në mënyrë të heshtur, shenjat dhe simptomat e saj janë jo specifike të tilla si: dobësi trupore, lodhje, ulje të oreksit, çrregullime të urinimit, ënjtje të syve në mëngjes, ënjtje të këmbëve, krampe muskulore etj.

Sëmundjet më të shpeshta të veshkave janë infeksionet urinare, gurët në veshka, sëmundja kronike e veshkës dhe dëmtimi akut i veshkës. Zakonisht këto sëmundje shfaqen edhe më shumë me rritjen e moshës, por të gjitha grupmoshat rrezikojnë të preken nga sëmundjet e veshkave.

Ekspertët e Shëndetësisë thonë se sëmundjet më të shpeshta të veshkave me te cilat ndeshemi në praktikën e përditshme janë infeksionet e rrugëve urinare, kalkulozat renale me pasojat e tyre, dëmtimi i funksionit të veshkës nga diabeti dhe hipertensioni.

Lidhur me shenjat dhe simptomat e sëmundjeve të veshkave variojnë nga të fshehtat, pra pacienti nuk ka shenja të sëmundjes. Kjo do të thotë që sëmundja zhvillohet në mënyrë të heshtur. Por, sëmundjet e veshkave mund të ka edhe shenja dhe simptoma të dukshme si urinim të shpeshtë dhe me djegie, dhimbje mesi, urinim të shpeshtë natën, ndryshim i ngjyrës së urinës, kur ka eritrocite në urinë, ënjtje të syve në mëngjes, dobësi trupore, marrje fryme, të vjella etj. Pra, ka larmi të shenjave klinike.

Gratë në krahasim me burrat janë më të rrezikuara të preken nga sëmundjet e veshkave, kryesisht nga infeksionet urinare, risku i të cilave rritet më shumë gjatë shtatzanisë, pyelonefriti akut apo kronik, apo sëmundjet autoimune si nefriti lupik, ku sistemi imun i çrregulluar dëmton qelizat dhe organet e veta.

Po ashtu, sipas mjekëve, komplikacionet e shtatzanisë rrisin riskun e sëmundjeve të veshkave: pre-eclampsia një sindrom ku një defekt në implantimin e placentës shkakton hipertension dhe proteinuria dhe është një ndër 3 shkaqet kryesore të vdekjes së grave shtatzëna.

Ekspertët e Shëndetësisë theksojnë se shpeshherë sëmundjet e veshkave shkaktohen dhe nga mjekimi i pakujdesshëm i patologjive të tjera si sëmundjet reumatizmale, pneumonite, diabetin, etj ku përdorimi i barnave antireumatizmale, antibiotikeve, antidiabetikeve me doza dhe frekuence të pakontrolluar shkaktojnë shpeshherë dëmtime të funksionit renal. Më të prekur nga kjo situatë janë të sëmurë kronike dhe në moshë të madhe.

Por, sipas mjekëve ka edhe disa mënyra të cilat ndihmojnë në reduktimin e riskut për të zhvilluar sëmundjen renale kronike si: ruajtja e peshës dhe jeta aktive, kontrolli i rregullt i glicemisë, monitorimi i presionit arterial, mënyra e shëndetshme e ushqyerjes dhe kontrolli i peshës, pirja e ujit 1.5-2 litra në ditë për të ruajtur ekuilibrat hidrues të organizmit, kufizimi i marrjes së medikamenteve kur nuk është e domosdoshme si barnat antiinflamatore, qetësues të ndryshëm, kontrolle të rregullta periodike tek mjeku kur individi ka një apo më shumë faktorë risk: diabet, hipertension, obezitet, kur një nga prindërit apo të afërm vuajnë me sëmundje renale./r.e/

Leave a Reply