Të enjten Gjykata e Lartë amerikane e bëri më të lehtë për bizneset që të shqetësojnë konsumatorët me telefonata apo mesazhe me tekst për reklama, duke hedhur poshtë një padi që akuzonte kompaninë e medias sociale Facebook, për shkelje të një ligji federal kundër thirrjeve telefonike të automatizuara nëpërmjet mesazhesh të regjistruara.
Në një vendim 9 me 0 gjykatësit mbajtën anën e Facebook-ut, duke mbështetur argumentin e tij se mesazhet me shkrim që dërgon kompania, nuk e shkelin ligjin federal të vitit 1991, të quajtur Akti i Mbrojtjes së Konsumatorëve të Telefonave.
Rasti nxori në pah sfidën me të cilën përballen gjyqtarët në zbatimin e ligjeve të vjetëruara përballë teknologjisë moderne. Vendimi nxiti thirrje drejtuar Kongresit për rishikim të ligjit, i cili është miratuar tre dekada më parë për të frenuar abuzimin për reklamimin e mallrave ose shërbimeve me anë të thirrjeve telefonike, duke ndaluar shumë prej telefonatave të automatizuara, të paautorizuara.
“Duke ngushtuar sferën e veprimit të këtij ligji, gjykata po u jep kompanive të drejtën për të sulmuar publikun me një valë telefonatash dhe mesazhesh pambarim, të padëshiruara e gjatë gjithë kohës“, thanë në një deklaratë të përbashkët senatori demokrat Edward Markey dhe ligjvënësja demokrate Anna Eshoo.
Sipas vendimit të gjykatës dërgimi i mesazheve me tekst pa marrë pëlqimin e (konsumatorit) nga ana e Facebook-ut, nuk përputhej me aktet që ndalon ligji në përkufizimin e tyre teknik. Akti i Mbrojtjes së Konsumatorëve të Telefonave është miratuar përpara se teknologjia moderne e telefonisë celulare të merrte hov.
Padia u paraqit në vitin 2015 në gjykatën federale të Kalifornisë nga një banor i Montanas, Noah Duguid, i cili tha se Facebook-u i kishte dërguar shumë mesazhe automatike me tekst, pa pëlqimin e tij. Padia akuzonte Facebook-un për shkelje të kufizimeve ligjore mbi përdorimin e sistemit telefonik automatik.
Facebook-u tha që mesazhet e lidhura me sigurinë, të shkaktuara kur përdoruesit përpiqen të futen në llogaritë e tyre nga një pajisje e re ose nga programet që shërbejnë për shfletimin e faqeve te internetit, ishin të lidhura me numrat e celularëve të përdoruesve.
“Siç thuhej edhe në vendimin e gjykatës, dispozitat e ligjit nuk kanë patur kurrë si qëllim të ndalojnë kompanitë të dërgojnë njoftime për arsye sigurie. Vendimi i gjykatës do t’i lejojë kompanitë të vazhdojnë të punojnë për të garantuar sigurinë e llogarive të përdoruesve të tyre“, thuhej në një deklaratë të Facebook-ut.
Sergei Lemberg, avokati i zotit Duguid, tha se çdokush mund të shmangë përgjegjësinë ligjore nëse përdor teknologji si ajo e Facebook-ut.
“Ky është një vendim zhgënjyes për këdo që zotëron një celular ose vlerëson privatësinë e tij“, shtoi zoti Lemberg./VOA