Presidenti Donald Trump vijon të kritikojë ligjvënësit demokratë lidhur me ngritjen zyrtarisht të akuzave si pjesë e një procesi që synon shkarkimin e tij.
Kritikat vijnë në një kohë kur Kongresi vazhdon të jetë i përfshirë nga një situatë ngërçi lidhur me procesin gjyqësor që duhet të zhvillohet në Senat.
“E majta radikale, demokratët që s’dinë të bëjnë asgjë thanë se donin ta çonin këtë gjë me shpejtësi në Senat sepse: “Presidenti Trump është kërcënim për Sigurinë Kombëtare”. Tani nuk duan të vazhdojnë me shpejtësi, por shumë ngadalë. Gënjeshtarë!”, shkruante zoti Trump në Twitter.
Në një votim sipas linjave partiake, Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët miratoi të mërkurën e kaluar ngritjen zyrtarisht të dy akuzave ndaj Presidentit Trump, gjë që e bën atë presidentin e tretë në historinë 243-vjeçare të vendit ndaj të cilit ngrihen akuza për shkarkim. Zoti Trump akuzohet për abuzim me detyrën për përfitim politik si dhe pengim të përpjekjeve të Kongresit për të hetuar veprimet e tij.