Shkup/Qeveria tërheq Ligjin për Prokurorinë Publike

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, sipas portalit ‘Plusinfo’, e tërhoqi Propozim-ligjin për Prokurorinë Publike në procedurë të shkurtuar.

Pas kësaj tërheqje, s’do të ketë as seancë për Ligjin për Prokurori Publike, e që ishte paraparë të mbahet të hënën në orën 17:00 por nuk u mbajt.

Nga Qeveria thonë se ka rregullime teknike dhe se ata është dashur të veprojnë në menyrë të tillë, por nuk zbulojnë nëse tekstet e reja janë prodhim i ndonjë negociate me partnerët e koalicionit dhe nëse teksti i Propozim-ligjit për Prokurori Publike që u dorëzua në Kuvend ka ndryshime.

Ndryshe, Hristijan Mickoski përsëriti qëndrimin e tij se partia e tij nuk do të mbështesë Ligjin për Prokurorinë Publike. Sipas tij me këtë ligj, amnistoheten Zaevi dhe familjarët e tij, funksionarët e lartë të pushtetit por edhe ish-udhëheqësit e OBRM-PDUKM-së të cilët tani i shërbejnë Zaevit, duke aluduar kështu për grupin e pavarur të OBRM-PDUKM-së.

Këtë ligj e kundërshtuan edhe dy partitë opozitare Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa ndërsa kreu i BDI-së, Ali Ahmeti tha se do të votohet ai ligj i cili ishte miratuar në Qeveri.

Leave a Reply