FSHF do të vendosë në dispozicion të policisë së shtetit listën me emrat e të gjithë tifozëve që kanë blerë biletë, me qëllim që policia të kryejë verifikimet e nevojshme për mbarëvajtjen e ndeshjes Shqipëri- Serbi, më 8 tetor.
Kreu i FSHF-së, Armando Duka është takuar me drejtorin e Policisë së Shtetit Haki Çako, ku për rreth një orë kanë diskutuar për marrjen e masave të përbashkëta për zhvillimin normal të ndeshjes. Ata kanë biseduar gjithashtu edhe për garantimn e rendit e sigurisë në çdo hap, që nga mbërritja e lojtarëve, tifozëve, të miqve nga Serbia para, gjatë dhe pas mbarimit të ndeshjes.
Z. Çako, garantoi Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, se Policia e Shtetit do të marrë të gjitha masat, duke angazhuar të gjitha kapacitetet më të mira të saj , qoftë në burime njërëzore ashtu dhe në logjistikë.
“Masat janë të shumëllojshme , nga toka dhe nga ajëri , por i garantoj që të gjithë tifozët se masat e policisë nuk kanë për qëllim të dëmtojnë apo frenojnë tifozët, por kanë për qëllim vetëm të garantojnë mbarëvajtien e kësaj ndeshje duke i ardhur në ndihmë skuadrës tonë kombëtare”, është shprehur Çako.
Në takim u vendos që një grup nga Polica e Shtetit dhe një grup nga Federata Shqiptare e Futbollit të bëjnë këqyrjen e stadiumit dhe të ambienteve përreth duke përcaktuar në vend edhe masat konkrete për gjithë pikat e paraqitura në planin e masave.