Shqipëria blindon kufirin me Maqedoninë

Frika e mbërritjes së valës së refugjatëve sirianë nga Greqia në Shqipëri, ka vënë në lëvizje strukturat policore, të cilat kanë blinduar pesë vendkalime kufitare drejt Maqedonisë dhe Greqisë, njofton edicioni elektronik i gazetës “Shekulli”.

Rreth 450 efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë janë dislokuar në pikat doganore të Qafë-Thanës, Kapshticës, Tri Urat, Kakavijës dhe Qafë-Botës, në gatishmëri dhe mbikëqyrje 24 orë të situatës në kufi. Këto struktura të specializuara për menaxhimin e turmave janë transportuar në kufirin jugor nga repartet e FNSH-së së Tiranës, Fierit dhe Shkodrës.

Ndërkohë, në mbështetje të FNSH-së janë dhe strukturat e Drejtorisë së Kufirit, të cilat gjatë kësaj kohe kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme me autoritet greke, për të mësuar lëvizjen e karvanëve të emigrantëve sirianë.

Efektivët kryejnë patrullime të vazhdueshme në zonën e gjelbër të kufirit, me qëllim evidentimin e çdo rasti të shkeljes së kufirit nga ana e emigrantëve sirianë.

Masa merren në kuadër të sigurimit të kufijve, pasi shumë vende të Ballkanit kanë vendosur të mbyllin kufijtë e tyre me Greqinë. Maqedonia dhe Bullgaria nuk kanë pranuar kalimin e emigrantëve në hapësirën e tyre, dhe duket se nismës së tyre tashmë i është bashkuar edhe Shqipëria.

Edhe pse Shqipëria ka hapur tri mjedise për pritjen e refugjatëve, duke përshtatur hapësirat e reparteve ushtarake, sërish nguron për pritjen e refugjatëve. Kjo pasi edhe vetë Bashkimi Evropian nuk ka dalë me një vendim konkret për mbështetje financiare për përballimin e një vale të mundshme emigrantësh. 

Leave a Reply