Mijëra policë janë përreth stadiumit “Todor Proevski” në Shkup.
Kjo për shkak se sonte do të zhvillohet ndeshja e futbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Ndeshja u prit shumë nga qytetarët e dyja vendeve, por për shkak të pandemisë do të luhet pa tifoz.
Biletat për këtë takim u shitën para pandemisë, por ato nuk u shfrytëzuan për shkak se ndeshja u prolongua. Zëdhënësi i Federatës së Futbollit të Maqedonisë Faton Zylbehari thotë se të gjithë që kanë blerë biletë, paratë do tu kthehen.
“Që në fillim është ditur që do të kthehen parat kush ka paguar biletë. Është vendosur edhe mënyra se si do të bëhet”, tha Faton Zylbehari – zëdhënës i FFM-së.
Përfaqësuesja e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka arritur në Shkup.
Një pjesë të stërvitjes futbollistët kosovarë e zhvilluan në errësirë.
Zylbehari thotë se ka pasur një problem teknik me softuerin.“Bëhet fjalë për softuerin, nuk bëhet fjalë për dritat ku thjeshtë kompjuteri që aktivizon ndriçimin ka pasur një problem. Për fat të gjithë janë pajtuar edhe delegati ka qenë dhe të gjithë njerëzit kompetent për organizimin e kësaj ndeshje, por është mirë që ndodhi dje se sa sot, sepse paska mundësi që të prish punë një gjë tjetër që ka të bëjë me dritat, një gjë që tani është sanuar problemi që dje”, deklaroi zëdhënësi i FFM-së, Faton Zylbehari.
Ndryshe të dy përfaqësueset kërkojnë që me çdo kusht ta fitojnë këtë ndeshje, e cila do të ketë edhe disa mungesa në fushë. Për vendasit nuk do të luaj futbollisti i Napolit Elif Elmas për shkak infektimit me koronavirus. Nga ana tjetër për Kosovën do të mungojë sulmuesi kryesor Vedat Muriqi, por edhe Milot Rashica.
Fituesi i kësaj ndeshje do të kalon në finale të play offit, ku do të përballet me fituesin e takimit Gjerorgji-Bjellorusi. Kjo finale do të jetë bilet për kualifikim në Kampionatin Evropian.