Në këtë nënqiell as nuk ka ndodhur e as që është dëgjuar ndonjëherë për dikë që ia do shpirti fort të mburret me sukseset e huaja. Me përjashtim të njërit që vret e pret, që shkelë mbi bukë e mbi Kuran, vetëm e vetëm që të vie deri te sukseset e huaja, t’i përvetësojë dhe të mburret me ato. Megjithatë, çdo sukses e ka kohën dhe emrin! Këtë nuk e di vetëm Shaqir Fetai
Nga Mr. Abaz Islami
Që kur u instalua në krye të BFI-së, Shaqir Fetai është në kërkim të më të voglit sukses me qëllim që të mburret: ja, edhe unë, ndonëse si mish i egër në trup të huaj, megjithatë, prap mund të jem i dobishëm! Po cili mund të jetë dobija e mishit të egër, e masës tumorale?!
Më në fund, me gjasë, e gjeti një sukses epik të njerëzve, të cilët Shaqir Fetai nuk i do por ama djersën dhe gjakun e tyre dëshiron t’ua thithë! Tamam monstër!
Paska vendosur që ta festojë 35 vjetorin e Revistës “Hëna e Re”, nën moton “Hëna e Re”, 35 vjet jetë mes sfidave dhe sukseseve”! Ku e di Shaqir Fetai se cilat ishin ato sfida e cilët ishin ata suksese që i përjetoi kjo Revistë për 35 vjet rresht? Ku mund ta dijë Shaqir Fetai kur nuk kaloi qoftë edhe një ditë në këtë Revistë!
Pikërisht për faktin që Shaqir Fetai kurrë nuk ishte në këtë redaksi, madje as që është pritur ndonjëherë në zyren e kësaj redaksie, ai mashtron, gënjenë dhe organizon një “konferencë shkencore” mbi një gënjeshtër që e ka nga injoranca e vet! “Hëna e Re” 35 vjet? Nuk është e vërtetë! “Hëna e re” si revistë më vete nuk ka më shumë se 31 vjet, kurse, e përbashkët, si revistë në tre gjuhë, nën emërtimin “Hëna e Re, Mllada Meseçina dhe El Hilal”, po, kjo ka 35 vite!
Po pse e bën këtë ndarje artificiale Shaqir Fetai? Pse kaq shumë nevojë që të “shqiptarizohet” pak? BFI-ja ka vetëm një redaksi dhe vetëm një revistë e cila del në tre gjuhë: shqip, turqisht dhe maqedonisht! Nëse myslimanët që flasin turqisht dhe gjuhën maqedonase do të ishin zhdukur dhe nuk do të kishte asnjë në këtë nënqiell, atëherë, mund të pranohet kjo ndarje naive që e bën Shaqir Fetai, por ama, përderisa ata janë këtu dhe japin kontributin e tyre si në “Mllada Meseçina”, ashtu edhe në “El Hilal”, shënimi i vetëm sukseseve të “Hënës së Re”, sa është tendencioze aq më tepër është edhe e poshtër, jo e denjë për një “reis” të myslimanëve të Maqedonisë së Veriut!
Shaqir Fetai dëshiron që të flitet për një projekt shumë të suksesshëm, dëshiron që të flitet për një projekt që ka lënë gjurmë të pashlyeshme përgjatë historikut të vet, të flitet për një projekt të një Institucioni në të cilën jo vetëm rastësisht gjendet aty, por edhe prezenca e tij është shumë imponuese përmes një instalimi të dhunshëm në krye të BFI-së. Dëshiron të flitet për një sukses të një “projekti”, sepse ndryshe, me çfarë do të mbahet në mend Shaqir Fetai! Edhe përkundër kësaj tendence karakteristike për hajnat e sukseseve të të tjerëve, megjithatë, Shaqir Fetai nuk do të përkujtohet absolutisht për kurrfarë suksesi, me përjashtim të suksesit të tij në thurje të një intrige që vetëm shpirtshituri mund ta bëjë, siç e bëri më 27 maj të vitit 2020!
Suksesi i “Hënës së Re” ka një emër, sfidat e kësaj Reviste kanë disa emrash personalitetesh të cilët i mbajnë mbi supet e veta të gjitha problemet e kohës me të cilat u përball “Hëna e Re” deri në përvjetorin e saj të 31-të!
Faktet dhe historia nuk mund të shtrembërohen, as të lulohen, sepse, në një rast të tillë do të dukeshin artificiale! Artificialiteti nuk paraqet problem vetëm për llojin e Shaqir Fetait!
Në Maqedoninë e Veriut ka ekzistuar një person historik që ka dhënë kontribut të madh në themelimin e Medresesë Isa Beu, që e ka themeluar Fakultetin e Shkencave Islame, që i ka hapur pesë paralele të shpërndara të Medresesë Isa Beu, që ka themeluar Bibliotekën Isa Beu, që i ka themeluar dhe formuar 13 Myftini të BFI-së dhe, tani nga tërë kjo histori suksesesh “përjashtohet” ky personalitet, me qëllim që me to të “stoliset” Shaqir Fetai!
Të mos harrojm edhe këtë të vërtetë të “Hëna e Re”, po ka përjetuar sfida nga më të egrat sepse është penguar dhe ekzistonin tendenca për mos botimin e saj dhe ka qenë ëndër e dikuj që ajo të mos sheh dritë. Sa e turpshme që është kur sheh sabotuesit e dikurshëm të kësaj reviste se si mundohet të shënojnë përvjetorin e saj.
Nuk mund të flitet për sukseset dhe sfidat e “Hënës së Re” pa qenë në raporte korrekte me ata me të cilët përkojnë këta suksese historike!
(Autori për shtatë vite ka qenë kryeredaktor i “Hënës së Re”)