Janë bërë publike fotot e 7 personave të paditur nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë më 25 mars, si pjesë e fushatës kineze të mbështetur nga agjencia kryesore e inteligjencës civile të vendit.
Ishte ky departament që publikoi më herët një deklaratë mbi fushatën shumëvjeçare të sulmeve kibernetike, që kishin shënjestruar një grup global ligjvënësish. Akuza e lëshuar në 25 mars në Washington, tregonte se hakerët e mbështetur nga qeveria kineze në vitin 2021 shënjestruan “çdo anëtar të Bashkimit Europian”që ishte pjesë e Aleancës Ndërparlamentare për Kinën (IPAC), një grup deputetësh këta të fokusuar tek cështjet e lidhura me Pekinin, i bashkëthemeluar nga aktivisti britanik Luke de Pulford.
Hakerët kinezë u tha se ishin përpjekur të aksesonin 43 llogari parlamentare britanike të lidhura me ligjvënës që ishin anëtarë të IPAC-ut ose kishin pikëpamje kritike ndaj Kinës. De Pulford nuk e dinte as vetë se ishte kthye në një shënjëster të tillë. “Unë këtë gjë e mësova nga njoftimi për shtyp i qeverisë amerikane”, shkroi ai në rrjetin social X. Tashmë, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj shtatë personave në fjalë dhe dy grupeve të hakerëve të akuzuar për kryerjen e sulmeve në emër të agjencisë së inteligjencës civile të Kinës, Ministrisë Shtetërore të Sigurisë.
Disa prej ligjvënësve të prekur thanë se kishin marrë e-maile të dyshimta, pro sipas tyre përpjekjet për hakerim nuk kanë qenë të suksesshme. Fatmir Mediu, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, kryetar i Partisë Republikane dhe bashkëkryetar i IPAC-ut, tha për REL-in se ai nuk ishte prekur nga ndonjë sulmi kibernetik. Sipas tij, informacione për ndonjë sulm të tillë nuk ka as nga kolegët e tjerë shqiptarë, pjesë e IPAC-ut.