Gjatë prezantimit të një projekti të ri të Policisë së Tiranës, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, tha se, Zyrat e Shërbimit Qytetar do të zgjidhin çështjen e korrupsionit në polici.
“Lufta ndaj kriminalitetit kalon nga bashkëpunimi polici-qytetar. Qytetari duhet të jetë klient, në mënyrë që të gjejë shërbimin në kohë rekord dhe pa korrupsion. E nisëm këtë reformë me Zyrat e Shërbimit Qytetar, duke shndërruar ambientin dhe mënyrën e kërkesës nga ana e qytetarëve”, u shpreh Tahiri.
Ministri i Brendshëm shtoi: “Jo rrallë, mosdhënia e shërbimit apo vonesa në shërbim ka shërbyer si pretekst për t’i hapur rrugën korrupsionit. Me këtë sistem, zgjidhim këtë problem pasi monitorojmë punonjësin e policisë që duhet t’i përgjigjet qytetarit në kohë”.