Evropa bën thirrje për zgjidhjen e problemeve në Mal të Zi përmes dialogut dhe institucioneve dhe jo në rrugë.
Që nga momenti kur u paralajmërua mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiç në Mal të Zi filluan akuzat mes Kryeministërit dhe Zv/kryeministrit, protestat në rrugë dhe së fundmi erdhi edhe propozimi për shkarkimin e Kryetarit të Parlamentit, Aleksa Beçiç.
Në një situatë të tillë plot tensione, kryetarja e Delegacionit të BE-së në Podgoricë, Oana Kristina-Popa u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë në Mal të Zi që të punojnë për uljen e tensioneve dhe ta zgjidhin situatën aktuale, përmes konsultimeve të ndërsjellta dhe konsensusit. “Mali i Zi ka legjitimitet demokratik. Është shtet demokratik dhe duhet t’i zgjidhë problemet në institucionet shtetërore, jo në rrugë”, thotë Popa.
Thirrja nga BE vjen në kulmin e një krize politike të shkaktuar nga një mocion mosbesimi ndaj qeverisë, i iniciuar nga zëvendëskryeministri Dritan Abazoviç dhe propozimi i fundit i kryeministrit Zdravko Krivokapiç për shkurtimin e mandatit të Kuvendit.
Edhe Gjermania bën thirrje
Ftesës së BE-së iu bashkua edhe Ambasada e Gjermanisë në Podgoricë. Sipas Ambasadës “Mali i Zi duhet t’i zgjidhë problemet brenda institucioneve, e jo në rrugë”.
Ambasadori Robert Weber “pajtohet se Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare nuk do të vendosin se kush do të jetë në qeverinë malazeze, por se shteti duhet të udhëheqë procesin dhe t’i zgjidhë problemet brenda institucioneve, jo në rrugë”, nënvizoi ai.
Kryetari i Kuvendit, Aleksa Beçiç, me 4 shkurt ka caktuar votimin, fillimisht për shkurtimin e mandatit të kuvendit, e më pas për nismën për mocionin ndaj qeverisë. Vendimi për shkurtimin e mandatit të kuvendit ose për rrëzimin e qeverisë merret me shumicën e votave të të gjithë deputetëve, ndërkohë në pritje të seancës së jashtëzakonshme dhe për të ndalur synimet e zëvëndëskryeministrit Abazoviç.
Kryeministri Krivokapiç i dorëzoi kuvendit propozimin për shkurtimin e mandatit të kuvendit, duke shpjeguar se zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë zgjidhja e vetme demokratike për tejkalimin e krizës ekzistuese politike. Krivokapiç vlerësoi se qeveria dhe përbërja aktuale e kuvendit nuk mund t’i ushtrojnë kompetencat konform Kushtetutës për shkak të inicimit të procedurës për rrëzimin e qeverisë./DW