Presidenti Donald Trump vijon të kundërshtojë me forcë rezultatin e zgjedhjeve edhe pas votës së kolegjit elektoral.
Në një konferencë për shtyp, kreu i shtëpisë së bardhë deklaroi sërish se është ai fituesi dhe hetimet duhet të vazhdojnë pasi zgjedhjet u vodhën dhe mashtrimi i demokratëve është i padiskutueshëm.
DONALD TRUMP
PRESIDENT I SHBA
“Këtë vit duke përdorur virusin si pretekst, zyrtarët demokratë në disa shtete kyçe dhunuan ligjet e tyre duke inkurajuar mashtrimin në një shkallë që nuk është parë ndonjëherë në historinë e vendit tonë. E vërteta është se ne i fituam bindshëm zgjedhjet. Media dhe kompanitë teknologjike bashkëpunuan që të fshehin faktet që qëndrojnë pas korrupsionit të Xho Bajdën.”
Për më tepër, Trump ka kundërshtuar projekt-ligjin për ndihmën ekonomike prej 2.3 trilion dollarësh të miratuar nga kongresi. Fatura do ti adresohej ndihmës për Covid-19 në vlerën 900 miliardë dollarë dhe 1.4 trilionë dollarë për të financuar qeverinë deri në fund të vitit fiskal më 30 shtator 2021.
“Paketa është shumë më ndryshe nga sa parashikohej. Është me të vërtetë e turpshme, ka emrin për covid por nuk ofron lehtësim për të. Unë kërkoj nga Kongresi që të eliminojë planet shpërdoruese dhe të panevojshme nga ky legjislacion, dhe të më dërgojë një paketë të përshtatshme, përndryshe administrata tjetër do të duhet të dorëzojë një paketë për ndihmën ndaj COVID. Dhe ndoshta ajo administratë do të drejtohet nga unë”.
Presidenti Trump kërkoi që kongresi ta rrisë shumën e pagesave personale në 2,000 dollarë për individët ose 4,000 dollarë për çiftet, në vend të 600 dollarëve që parashikon projekt-ligjit të cilën ai e quajti një shifër qesharake.