Turqi, Erdogan në vështirësi; pas zgjedhjeve bursat hapen me rënie

Rexhep Tajip Erdogan gjendet përballë sfidës së formimit të një qeverie, pasi për të parën herë në 13 vjet, partia e tij në pushtet AKP humbi shumicën parlamentare.

41 përqindëshi i votave i siguruar këtë radhë përbën një rënie të ndjeshme krahasuar me 2011-n, kur mori gati gjysmën e votave të elektoratit turk.

Sistemi proporcional i përfaqësimit në vend e detyron tani AKP-në të krijojë një koalicion ose në të kundërt do të ketë një qeveri pakicë.

Kjo humbje tronditëse ishte një grusht i fortë për ambicjet e Erdoganit, që synonte të rishkruante Kushtetutën e Turqisë, për ta shndërruar këtë të fundit në demokraci presidenciale.

Trembëdhjetë vitet e dominimit të Partisë për Drejtësi e Zhvillim me shumicë dërmuese në Parlament, tanimë morën fund.

Në selinë e partisë pro-kurde HDP, e cila kaloi ashtu siç parashikohej pragun e nevojshëm zgjedhor të 10 përqindëshit, festimet vazhduan gjatë.

Shumë mbështetës të saj e vazhduan festën edhe nëpër rrugë, ku thërrisnin me të madhe: “Ne jemi HDP dhe do të shkojmë në Parlament!”.

“I dhamë fund një periudhe tiranësh me mjete demokratike. Kjo është një fitore për demokracinë, një fitore për Turqinë”, deklaroi Kemal Kilicd Aroglu, lider i Partisë së Popullit, CDH.

“Nje parti në pushtet, që këto 13 vjet i dha qeverisjes së saj gjithmonë e më shumë trajta autoritare, u rrëzua sot nga populli. Kjo dëshmon të menduarit praktik të votuesve turq”, tha Haluk Koc, zëdhënës i CDH-së.

Ashtu si drejtuesit e Partisë së Popullit, forca më e madhe opozitare në vend, edhe lideri i HDP-së, Selahattin Demirtas e ka përjashtuar kategorikisht mundësinë e një hyrjeje në koalicion me AKP-në.

Edhe pse ekonomia e lëkundur u përmend si një nga faktorët kryesorë të humbjes pas një dekade të rritjes së paparë ekonomike të Turqisë, dëmin më të madh partisë së Erdoganit ia shkaktoi pikërisht suksesi i forcës politike pro-kurde.

HDP kishte tentuar t’i kapërcente kufijtë e rajonit kurd nëpërmjet një platforme gjithëpërfshirëse të pluralizmit dhe demokracisë, duke e vënë theksin tek të drejtat e punëtorëve, grave dhe homoseksualëve.

Mbështetja e gjerë për të anembanë vendit shihet si zhvillim i rëndësishëm simbolik pas tensioneve etnike prej disa dhjetëvjeçarësh.

Mëngjesin e sotëm ndërkohë, lira turke ra në nivele të ulëta pothuajse rekord, pas reagimit të tregjeve ndaj rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme. Nuk kaloi shumë nga momenti i çeljes së Bursës në Stamboll dhe aksionet pësuan një rënie të beftë me më shumë se 8%.

Leave a Reply