Midis nesh
Një koordinim dhe hetim disa mujor i Interpolit, së fundi ka rezultuar me kapjen e 52 personave që kanë tentuar të kontrabandojnë mbi dhjetë mijë sende, artefakte e vepra arti të vjedhura e të grabitura që nga shtëpitë e deri te objektet e kultit dhe muzetë botërore! Pa dyshim që vjedhja, shitja dhe trafikimi i veprave të artit është një nga aktivitetet më të paligjshëm.
Mbi dhjetë mijë gjëra të grabitura! Po si ndodhë kjo në kushtet e sigurisë “totale”, nën mbikëqyrjen e qindra kamerave, të dronëve, të njësiteve të specializuara policore-ushtarake që vëzhgojnë 24/7 çdo pëllëmbë të tokës ku mund të kryhen “hulumtime arkeologjike” të egra! Këta hajna ia dalin që sendet e vjedhura t’i afrojnë edhe deri te doganat e shteteve të ndryshme dhe aty të kapen! Si ia dalin (pa ndihma institucionale) që t’i afrohen doganave me thesar të jashtëzakonshëm gjetjesh arkeologjike e me vepra arti! Po sa gjëra të vjedhura mbahen nëpër shtëpi e nëpër “pallate” oligarkësh, të cilat kurrë nuk do t’i afrohen doganave por do të mbahet si “trashëgimi familjare”?
Shqipërisë, që nga ditët e para të post-komunizmit e deri më sot i mungojnë qindra e mijëra artefakte, ikonostase, ikona, vepra të ndryshme arti që u vodhën e u kontrabanduan nëpër botë! Po ashtu, në Shqipëri pati edhe “kërkime arkeologjike” dhe përvetësime nga institucionet shtetërore të vendeve fqinje! A nuk është kjo një “vjedhje dhe kontrabandim” institucional!
Çfarë do bëjnë institucionet përkatëse evropiane e botërore për ta detyruar Serbinë që t’i kthejë të gjitha ato eksponate muzeale e artistike që i grabiti gjatë tërheqjes nga Kosova dhe që tashmë i ka të përvetësuara duke i paraqitur si pasuri e trashëgimisë kulturore serbe?
Çfarë po bëjnë institucionet e Kosovës për t’i listuar të gjitha gjërat e vjedhura nga Serbia dhe për t’ia dorëzuar të gjitha institucioneve relevante evropiane e botërore. Nuk mjafton vetëm lista e gjërave të vjedhura, duhet që të shoqërohen edhe me katalogë luksoze të gjërave të vjedhura prej Serbisë nga muzetë, galeritë e nga qendrat arkeologjike të Kosovës. Kosova duhet të këmbëngulë edhe për kthimin e këtyre vlerave kulturore-muzeale siç e bën për gjetjen e mbi njëmijë personave të zhdukur.
Maqedonia gruevskiane, punimet arkeologjike në disa lokalitete i zhvilloi me buldozerë e me mekanizma të rënda, duke shkatërruar e humbur gjurmë lashtësie. Ato gjëra që i gjetën, i futën nëpër solucione acidi që “t’i pastrojnë”, me qëllim që t’ua kompromitojnë lashtësinë, prejardhjen dhe identitetin.
Në Muzeun e Qytetit në Zarë të Kroacisë, siç ndodhë edhe nëpër muze të tjera të shoqërive të civilizuara, janë të ekspozuar, veç tjerash, edhe dy eksponate shumë interesante, të cilat flasin edhe për kulturën dhe qytetarinë e padiskutueshme kroate! Njëri eksponat është gjigant dhe paraqet anijen ilire “Liburna”! Pra, kroatët nuk e kanë përvetësuar si “anije kroate”, por thjesht, ia kanë vënë emrin e vet “Anija ilire – Liburnia”! Eksponati i dytë është “Varri ilir” që paraqet tri rrasa guri që formojnë një hapësirë gjysmë metre, brenda së cilës shihen mbetje mortore të një fëmijë të pozicionuar si në bark të nënës!
Pra, jo vetëm që nuk vidhen, nuk grabiten, nuk kontrabandohen artefaktet, por ato gjithnjë duhet të flasin me gojën e lashtësisë, duke refuzuar çdo deformim, manipulim apo shtrembërim të asaj çfarë në të vërtetë janë. Gjetjet arkeologjike në Maqedoninë e Veriut, në periudhën e “antikizimit të maqedonasve” nën “hulumtimet” e arkeologut manipulant, Pasko Kuzman (që përfundoi në burg), çdo gjë e zbuluar, madje edhe nëpër lokalitete të dokumentuara e të faktuara si ilire, që të gjitha emërtoheshin me “maqedonase”: monedha maqedonase, perëndesha maqedonase, maska maqedonase, madje të periudhave p.e.s.! A nuk është kjo një vjedhje dhe grabitje e pastër institucionale e një trashëgimie kulturore, për të cilën “strategji” shtetërore deri më sot nuk ka folur asnjë subjekt kombëtar e ndërkombëtar!
Në Mal të Zi, në Ulqinin e lashtë ilir, çuditërisht, me tepër zbulohen artefakte malazeze e serbe sesa iliro-romake, ndonëse qyteti mesjetar, Shasi, shquhet si i vetmi vend në botë që dikur kishte për secilën ditë nga një kishë, pra 365 kisha, të cilat sot janë vetëm gërmadha. Pse kurrë Jugosllavia dhe sot Mali i Zi, nuk lejuan që të kryhen hulumtime nënujore në Liqenin e Shasit, ku flitet se në thellësi prej tetë metrave gjenden plotë gjurmë të këtij qyteti mesjetar. Më 1985 Akademia serbe me nguti e ndaloi rreptësisht hulumtimin e më tejmë të këtij lokaliteti arkeologjik, pasi hasën në gjurmë të qarta që flisnin për identitetin ilir të lokalitetit.
Pra, nëse vjedhjet individuale grabitjet dhe kontrabandimet po ia dilkan që t’i stopojë e t’i sanksionojë Interpoli, kush duhet t’i gjykojë dhe ndëshkojë vjedhjet institucionale të artefakteve e të veprave të artit! Kush duhet t’i krehë, të paktën, institucionet muzeale të Greqisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut e Malit të Zi? /HEJZA/