Tre tenorët shqiptarë performojnë në Shkup

Tre tenorët shqiptarë Josif Gjipali, Kastriot Tusha dhe Enea Cerashi interpretuan të hënën në skenën e Operës së Maqedonisë.

Me performancën e tyre, tre tenorët arritën të bëjnë për vete publikun në Shkup. Figura me bagazh të madh artistik, si Josif Gjipali, Kastriot Tusha dhe Enea Cerashi bashkë me violinistin e mirënjohur Zeqir Sulkuqi shtuan peshën e festivalit “Skena e Muzikës Serioze Shqiptare”.

“Është një kënaqësi e veçantë që nuk e gjen askund tjetër. Bashkëatdhetarët tanë u impenjuan më tepër sot për të dhënë një kënaqësi më të madhe”, tha Gjopali.

“Është e vërtetë ajo që tha Gjipali, se për ne skena e vogël, e madhe është e shenjtë për një artist. Në këtë skenë ka aq emocion sa vetë shpirti jonë e di”, tha Tusha.

“Është një emocion i veçantë sepse performoj pranë profesorit tim Kastriot Tusha me të cilin kam studiuar këto vite dhe më ka dhënë mbështetjen kryesore. Një emocion i veçantë dhe sot ia kaluam shumë mirë”, tha Cerashi.

Drejtori artistik i këtij festivali thotë se përpjekjet kanë qenë të mëdha për të sjellë në këtë skenë të vogël, artistë të mëdhenj. “Ishte një punë disavjeçare dhe jam i kënaqur”, tha ai.

“Skena e muzikës serioze shqiptare” këtë vit ka edicionin e shtatë të saj, ndërkaq të premten, më 19 Prill 2019, do të sjellë edhe aktivitetin e pestë, koncert me violinistin virtuoz shqiptar, Tedi Papavrami. /klanmacedonia/

Leave a Reply