KE rekomandon fillimin e bisedimeve me Maqedoninë për anëtarësim në BE

Në këtë kuadër, theksohet nevoja e reformave të mëtejshme në fushat e gjyqësorit, të drejtave themelore, liria dhe siguria e qytetarëve dhe e vendit.
Komisioni Evropian nënvizon se Maqedonia, ose më saktë Republika ish-jugosllave e Maqedonisë, siç i referohet, “ka kapërcyer në masë të madhe krizën e thellë politike, ndërsa reformat e nevojshme strukturore paraqesin proces për çka duhen vite të tëra dhe dëmi i shkaktuar në vitet e fundit nuk mund të ndreqet brenda natës”.

Raporti i progresit për Maqedoninë vëren po ashtu “dëshirën e sinqertë për reforma dhe vlerësimin objektiv të gjendjes dhe gatishmërinë për strategjinë dhe ligjvënien si dhe konsultimet në një mënyrë gjithpërfshirëse dhe transparente me të gjithë aktorët, përfshirë opozitën”.

“Krahas vështirësive për shkak të mungesës së partisë kryesore opozitare, strategjitë kryesore dhe ligjet u miratuan në fund të dhjetorit dhe shkurtit dhe shumë të tjerë janë në përgatitje”, thuhet në raport, ndërkohë që theksohet rëndësia për praninë e vullnetit politik për përparim.

Raporti konstaton se situata me marrëdhëniet ndëretnike mbetet e qetë, ndërsa Marrëveshja e Ohrit duhet të plotësohet në mënyrë transparente dhe përfshirëse. Qeveria, thuhet më tej, është treguar e përkushtuar ndaj shtimit të besimit midis komuniteteve.

Sa i përket luftës ndaj krimit të organizauar dhe korupsionit, thuhet se është bërë një lloj përgatitje dhe se kornizat ligjore janë në përputhje me standardet evropiane.

Ndërkaq, sonte në Shkup pritet të mbërrijë komisioneri për zgjerim dhe politikat e fqinjësisë të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn; ndërkohë nesër pasdite pritet edhe shefja për politikë te jashtme Federica Mogherini.

Kryeministri Zoran Zaev është shprehur se Maqedonia “meritonte një rekomandim të kristaltë për fillimin e bisedimeve me BE-në. Se reformat janë të nevojshme për vetë shoqërinë e Maqedonisë dhe mirëqenien e qytetarëve të saj dhe se qeveria do të angazhohej për reforma pa marrë parasysh Bashkimin Evropian ose Naton”, ka theksuar kryeministri maqedonas.

Maqedonia është ndër vendet e para të Ballkanit perëndimor që mori statusin vend kandidat për anëarësim në BE në dhjetor të vitit 2005, por krizat e shpeshta politike dhe trazirat që e shoqëruan pushtetin e VMRO-së konservatore për më shumë se dhjetë vjet, si dhe mosmarrëveshjet me Greqinë për çështjen e emrit Maqedoni, zvarritën proceset integruese të ish-repubikës jugosllave. /VOA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *