Mbi 70 për qind e atyre që thuhet se luftuan, pa punë e pa të ardhura mujore

Mbi 18 mijë vetë kanë arritur të hyjnë në sistemin e pensionimit, e mbi 4 mijë aplikacione të tjera po presin për t’u hapur pasi aplikuan në ditët e fundit të dhjetorit. Mbi 500 të tjerëve iu refuzua e drejta e pensionit, pasi u vërtetua se janë të punësuar.

Por, pensioni i tyre i janarit është në pikëpyetje. Departamenti nuk e di nëse Ministria e Financave do t’ua lëshojë mjetet para 18 janarit dhe nuk është e qartë nëse do t’ua paguajë këtyre 9 mijë pensionistëve të rinj pensionet për muajt e mbetur borxh apo vetëm këtë muaj.

Sidoqoftë, Ministria e Financave, e cila të premten kishte premtuar se të hënën do të sqaronte se ku përfunduan 12 milionë euro, sot e ka deleguar çështjen te Ministria e Punës.

Por, pas insistimit të KTV-së që të dijë se ku mbetën milionat e Fondit, Ministria kthen një përgjigje elektronike, ku thotë se nuk ka nevojë për shqetësim.

“Ministria e Financave dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale do t’i kryejë obligimet financiare ndaj veteranëve dhe nuk ka aspak nevojë për shqetësim. Gjithashtu MF dhe MPMS janë duke punuar për gjetjen e një zgjidhje të përhershme”, thuhet në letrën e Ministrisë së Financave.E në anën tjetër edhe Ministria e Punës ka hequr barrën nga vetja, duke mos treguar se ku mbeten milionat e Fondit.

Ministria e Punës, përmes postës elektronike, edhe një herë ka ritheksuar se çështja nuk i takon asaj, por Ministrisë së Financave.“Sa i përket pjesës së parë të pyetjes suaj, unë nuk mund të jap përgjigje, pasi që kjo çështje nuk është në kompetencën e MPMS-së, sepse është çështje që është rregulluar me procesin e rishikimit të buxhetit. Fondi për pagesën e veteranëve për vitin 2016 është 25 milionë euro dhe mjetet pritet të alokohen këto ditë”, ka thënë Izedin Bytyçi, sekretar i Përgjithshëm i MPMS-së.

Në gjithë këto lista me emra veteranësh të papunë, nuk përjashtohet mundësia që në mesin e tyre të ketë edhe “mashtrues”.

Edhe vetë Krasniqi thotë se kanë vërejtur se në listat e pensionistëve ka persona që realisht jetojnë e punojnë jashtë vendit, siç ka edhe të atillë që kanë shkëputur kontratat e punës vetëm për ta përfituar pensionin.

Por, ajo ankohet se ka staf të vogël, i cili e ka të pamundur të gjejë mashtruesit.Kur në shkurtin e 2015-ës dolën listat e para, ish-komandanti i UÇK-së, Agim Çeku, i cili udhëhoqi komisionin për verifikim, tha se statusi i veteranit iu njoh rreth 23 mijë veteranëve dhe se të papunë janë rreth 11 mijë sosh, por një vit më vonë të gjithë 23 mijë veteranët dolën të jenë të papunë, 70 per qind e atyre qe luftuan.

Leave a Reply