Fati i BFI-së në kornizat e Platfomës së Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI

Përmes Platformës sonë ne kemi sqaruar se cilat janë rreziqet me të cilat aktualisht po përballet BFI-ja, kemi ofruar opcion se si të dilet nga kjo krizë e rëndë dhe e pashembullt në asnjë institucion tjetër në rajon dhe më gjërë.

Lëvizja Myslimane për Reforma në BFI

Si asnjëherë më parë, madje kurrë në historinë e vet mbi gjashtëqindvjeçare BFI-ja nuk ka qenë në pozitë kaq shumë të degraduar. BFI e kriminalizuar, e zhytur në krime e korrupsion, në zhvatje e në nepotizëm, është shumë larg të qenurit institucion legal, legjitim, që funksionon profesionalisht e që zhvillohet institucionalisht. Për momentin është peng i një grupi të padenjë për të qenë nëpunës të këtij Institucioni e lëre më të udhëheqin me të. BFI-ja sot për sot është në prag të paralizimit total. Për pasojë po depersonalizohet, deformohet e degradon për ditë e më shumë. Kushtetuta, statutet e organeve si dhe të gjitha rregulloret po shkelen qëllimisht dhe pa kurrfarë frike. Sot në BFI ndjehet vetëm atmosfera e krimit, vjedhjes, zhvatjes, shkatërrimit, dehumanitetit, korrupsionit e nepotizmit. Organet e këtij Institucioni si dhe këshillat apo forumet drejtuse nuk janë mbledhur pothuajse asnjëherë. BFI-ja është shndëruar në Institucion-individ! Aty vetëm njëri, si despot, vendos për gjithçka dhe në çdo kohë. Rijaseti, si organ kolektiv, drejtohet nga individë me mandat të skaduar, me individ të padenjë për të qenë aty, njerëz me dosje, ndërkohë që, personi që ka uzurpuar postin e Reisul Ulemasë, organin më të lartë të BFI-së, është vetëshpallur kryetar, duke falsifikuar tërë procesin e zgjedhjes së tij. Vendimmarrja kolegjiale ka kaluar në personale. Në vend të aktiviteteve fetare, zhvillohen synimet e një grupthi uzurpatorësh të denjë për zhvatje, vjedhje dhe kriminalizim të kolektivit. Për interesa meskine të vetat tërë BFI-në e partizon madje duke e shndërruar komplet në një shtab partiak, pa i menduar pasojat e rënda që bijnë mbi kurriz të këtij Institucioni nga një dukuri e tillë e pamençur. Kështu Sulejman Rexhepi e blenë rehatinë e jashtme ndërsa rehatinë e brendshme e blenë duke ua mundësuar korruptimin njerëze të cilëve u frikësohet më së shumti. Të tillëve ua krijon mundësinë e marrjes së parave në arkën e BFI-së në formë borxhi por që kurrë nuk ua kërkon, ua falë pa kurrfarë vendimi. Dhe nuk janë pak, të tillët (kësaj radhe nuk po i radhisim emrat) i kanë borxh me mijëra e mijëra euro BFI-së por që nga Sulejman Rexhepi nuk ndjejnë presionin e kthimit të atij borxhi. Paratë e myslimanëve të Maqedonisë, nuk janë “donime humanitare” për blerjen e rehatisë nga njerëzit prej të cilëve frikësohet Mulla Sula, por, janë kontribute që donohen për zhvillimin e jetës fetare islame në vend.

Degradimi i BFI-së nga një Institucion shekullor fetar islam në një shoqatë-individ, tjetërsimi hap pas hapi i vakëfit, vjedhja e qytetarëve në emër të avansimit të jetës fetare islame në vend, në fakt ka sjellë deri te një humbje e madhe e besimit si dhe te zvetënimi total i shpresës për një të ardhme të shëndoshë të këtij Institucioni. Dhe nuk dihet më nëse BFI-ja është në shërbim të popullit apo në shërbim të oligarkëve!

Sot, në BFI nuk ka asnjë autoritet të ligjshëm, përfshirë këtu Reisul Ulemanë, Rijasetin, muftinitë, drejtorët e dekani, sepse të gjithëve iu ka skaduar mandati, apo janë emërtuar nga i paligjshmi dhe uzurpatori i postit të Reisul Ulemasë.

Të gjitha këto fakte rrëqethëse na bëjmë ta alarmojmë opinionin e vendit dhe atë ndërkombëtar për veprimtarinë e fëlliqtë që po ndërmerret nga uzurpatori i postit të reisit, Sulejman Rexhepi. Tanimë u arrit një sukses i rëndësishëm,  u sensiblizua mbarë popullata jonë dhe më gjërë, dhe në frymën e Platformës veprojmë duke ua bërë me dije se Lëvizja Myslimane për Reforma në BFI ka plan, ka strategji, ka synim dhe objektivat e qarta se si ta shpëtojë Institucionin tonë dhe si t’ia kthejë tërë atë reputacion që e kishte më parë, si faktor relevant në vend dhe në rajon.

Përmes Platformës së LMR-së ne kemi sqaruar se cilat janë rreziqet me të cilat aktualisht po përballet BFI-ja, kemi ofruar opcion se si të dilet nga kjo krizë e rëndë dhe e pashembullt në asnjë institucion tjetër në rajon dhe më gjërë. Aty flitet për reformat e domosdoshme që duhet të ndërmerren edhe atë, duke filluar që nga kthimi në binare të akteve normative të BFI-së, ndryshimeve kushtetutare e deri në çrrënjosje të së keqes duke e sjellë në përmasat e profesionalizimit të nevojshëm të Institucionit BFI! Ne mendojmë që kurrë nuk është vonë që, të gjithë ata, çdo individ e grupim shoqëror, që shohin se si po keqpërdoret BFI-ja nga një grusht individësh të rrezikshëm për fenë, kombin e shoqërinë, të angazhohen për ta rivendosur rendin, kushtetutshmërinë dhe aktivitetin institucional në BFI. Dhe këtë mund ta bëjë vetëm ne të LMR-së që nuk kemi heshtur për asnjë çast të vetëm dhe jo ata që ia mbajnë iso-n Sulejman Rexhepit në aktivitete të jashtëligjshme dhe në kundërshtim me të gjitha aktet dhe rregullat normative të BFI-së.

Me ndihmën e Zotit Fuqiplotë ne do t’ia arijmë këtij synimi kaq fisnik, kaq të mirë për kolektivin dhe kaq madhështor për historinë dhe të ardhshmen e BFI-së.

Të gjithë ata që janë të shqetsuar nga kjo që po i ndodhë BFI-së dhe që janë të interesuar të dinë diç më shumë për Platformën tonë, të Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI, e kanë në këtë link:

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *