Integriteti shtyllë e zhvillimit normal të Bashkësisë Fetare Islame në RMV

Integriteti është një prej vlerave më të larta njerëzore e cila arrihet përmes respektimit të porosive hyjnore të të gjitha feve qiellore. “Qenka njeri me integritet” i themi atij që është i ndershëm, i guximshëm, i matur, i moralshëm, i drejtë, profesional dhe me virtyte të larta. Pra, integritet nënkupton – i devotshëm

Shkruan Afrim Tahiri

Plani i integritetit është hapi i parë i çdo institucioni, i çdo sistemi normal, i çdo organi shtetëror, qeverie apo digasteri qeveritar që pretendon zhvillimin dhe funksionimin e vet mbi parimet e njerëzores. Këto parime sublimohen në një rregullore që quhet kodi etik i cili shpreh, para së gjithash, përkushtimin për menaxhim me integritetin.

Ekipi i fuqishëm drejtues, institucioni i fortë, organ apo organizatë e suksesshme, mund të jenë, pa dyshim, vetëm ata që drejtohen dhe menaxhohen nga njerëz me integritet, ata që kodin etik e konceptojnë si kod gjenetik që përkujdeset dhe siguron mirëqenie, prosperim, besueshmëri,  përkushtim, drejtësi në organizmin shoqëror.

Në rrafshin instituional koncepti i integritetit ndëtohet mbi disa veprime, apo karakteristika, që janë tipare dalluese të subjektit që mëton përsoshmërinë, dinjitetin dhe kënaqësinë që vjen nga të qenurit me integritet dhe i dinjitetshëm.

E kundërta e kësaj, kur nëpërkëmben dhe shkilen normat e integritetit, që janë, mbi të gjitha parime etiko-feare, atëherë konstatojmë se kemi të bëjmë me një pasion antinjerëzor për të rrënuar atë vlerë pa të cilën shoqëria nuk mund të hedhë shëndetshëm asnjë hap tutje.

Një program i integritetit nuk mund të realizohet pa një mbështetje aktive dhe të paluhatur të të gjithë nëpunësve të institucionit si dhe, mbi të gjitha, pa një mbështetje dhe përkrahje të organeve shtetërore, në veçanti, të drejtësisë.

Sistemi i menaxhimit të integritetit, i cili ndërtohet nga kapacitetet demokratike të shtetit, duhet të shtrihet letësisht edhe nëpër institucionet fetare, të cilat, jo rrallë janë trajtuar nga mjetet e informimit si çerdhe të korrupsionit, hajnisë, zhvatjes, si “gijotina” të transparncës, ndërveprimit, llogaridhënies.

Pa dyshim, të gjitha anketat, të gjitha faktet, të gjitha bisedat nëpër ndeje të ndryshme, flasin për një Bashkësi Fetare Islame me integritet të rrënuar tashmë përdhe, flasin për një Institucion që po lëngon nga një besueshmëri minimale, për një Institucion i cili, duke e zhvilluar mostransparencën dhe mosllogaridhënien, është mbyllur në guacën e vet duke mos mbajtur llogari se po ngulfatet për “pak oksigjen”. Në rastin konkret, “oksigjen” është kodi etik, i cili matricën e ka në porositë e shenjta të feve qiellore. Pra, për momentin kemi një Institucion fetar që i shkel të gjitha parimet fetare.

Në Bashkësinë Fetar Islame të RMV-së, as sot e kësaj dite, nuk ka kurrfarë deklarate-dokument që do të shërbejë si “kod etik”, nuk ka kurrfarë strategjie dhe plani të ksaj natyre. Aty, sot, me integritet nënkuptojnë lojalitet qorrazi nga poshtë-lartë, “ruajtje të sekretit” i cili nuk është asgjë tjetër përveç bagazh i shkeljeve të parimeve, bagazh i veprimeve antinjerëzore e antifetare; në BFI-në e sotshme të okupuar e të shkatërruar deri në themel, me integritet nënkuptojnë “përkrahje e ndërsjellë” në vepra kriminale me qëllim të varshmërisë së ndërsjellë që ka fuqinë e varshmërisë narkotike.

Prandaj, sot, kjo BFI ka prekur zeron e besueshmërisë së qytetarëve myslimanë, përkrahja dhe kontributet financiare kanë zbritur në nivelin të cilin kurrë nuk e ka pasur, që nga themelimi i vet, me nëpunës me dinjitet të thyer, pa peshë autoriteti, pa respektin e gjërë, por të lumtur me stigmatizimet e poshtra që e shtojnë kënaqësinë e “udhëheqësit” të tyre.

Bashkësisë Fetare Islame në RMV i duhet një Plan i Integritetit, plan i cili do të ngërthente në vete kodin etik, planin e trajnimit të nëpunësve të vet për ta ngritur integritetin dhe për të menaxhuar me integritet, do t’i ngërthente qëllimet dhe synimet e qarta të cilët janë shtylla të normave fetare të çdo feje qiellore.

Planifikimin e ngritjes së integriteti nuk mund ta kuptojnë dhe ta hartojnë ata që nuk e kuptojnë dhe nuk dëshirojnë ta kuptojnë rrezikun që vjen nga mungesa e këtij virtyti të shenjtë. Në Bashkësisë Fetare Islame të sotshme, të kapur nga më të korruptuarit historik të këtij Institucioni, ushtrimin e integritetit e demonstrojnë herë pas here, edhe atë përmes metodës “nga lartë-poshtë”, metodë kjo e sistemeve diktatoriale, metodë që gjenë zbatim sa herë që “i larti” dëshiron ta komprementojë dhe ta fusë në shërbim të vetin secilin që mund të japë shenja “rrebelimi” në mbrojtje të integritetit personal! Pra integriteti i të gjithë nëpunësve deponohet në hambarin e pashterrshëm të “integritetit” të “të madhit”, në të cilën hambar vlojnë minjtë cullak, kalbësirat, antivlerat “ushqyese” dhe trupthat degradues.

Planifikimi i integriteti bëhet vetëm atëherë kur të ngriten kapacitetet për ta luftuar tërësisht korrupsionin, vjedhjen, zhvatjen, atëherë kur do të ndërgjegjësohen të gjithë për transparencë dhe llogaridhënie. Hapi i parë në këtë drejtim do të ishte ngritja e sektorëve, caktimi i personave që do të jenë në mënyrë permanente në kontakt me opinionin e gjërë, duke e bërë transparente çdo të hyrë e të dalur nga buxheti i Institucionit, që nga rrogat e të gjithë nëpunësve, nga shpërblimet, honoraret, dhuratat, donacionet, qeratë, nga tëhuajësimi apo shtimi i vakëfit, e deri te shpenzimet për nevoja të punëve ditore. Dhe kjo transparencë të pasqyrohet objektivisht në databazin e veçantë të BFI-së, në regjistrin elektronik dedikuar transparencës dhe llogaridhënies. Kjo do të nënkuptonte gatishmërinë e BFI-së për ta zhvilluar integritetin e Institucionit dhe të nëpunësve të vet “nga poshtë-lartë”, pra, nuk kontrollon “i madhi” por kontrollon xhemati, komuniteti, populli, kontrollon organi i zgjedhur nga baza, strukturat komunitare, dhe jo organ i zgjedhur dhe emëruar nga “i madhi”!

Bota demokratike tashmë integritetin e shikon si standard! Mjaftojnë vetëm disa të dhëna sipërfaqësore për integritetin për të kuptuar se sa një subjekt është i korruptuar, sa është i kriminalizuar, sa është i rrezikshëm dhe sa duhet të jetë i përjashtuar nga proceset e rëndësishme në shoqëri dhe më gjërë. Masat e para kundër një subjekti të këtillë janë anashkalimi, takimet formale informative si dhe ngushtimi sa më shumë i rrethit izolues.

Ngritja dhe përforecimi i integritetit nënkupton eliminim dhe zhdukje të:

– konfliktit të interesit,

– nepotizmit,

– mashtrimit,

– vjedhjes,

– dehumanizimit të institucionit apo organizatës,

– të korrupsionit,

– të keqpërdorimit apo manipulimit të informatës me qëllim të stigmatizimit të nëpunësit apo qëllime të tjera,

– keqpërdorimit të detyrës zyrtare,

– të postit,

– keqshfryëzimit të autoritetit,

– shpërdorimit të resurseve ekonomike, financiare, njerezore etj. dhe humbjes së tyre,

– sjelljes së keqe,

– fjalorit të pistë në orarë të punës dhe në ndeja private,

– dhënies së liçencave etj.

Lëvizja Myslimane për Reforma në BFI të RMV-së Planin e Integritetit e konsideron si pikënisje në procesin e reformave gjithëpërfshirëse dhe aq shumë të nevojshme në BFI. Vetëm ky Plan mund ta rikthejë besueshmërinë dhe funksionimin normal të këtij Institucioni aq jetik për myslimanët dhe për fenë islame në Maqedoninqë e Veriut.

Leave a Reply