Në kuadër të kompetencave të veta, Ministria e Drejtësisë, tha Saliji, do ta ndihmojë në mënyrë aktive këtë proces. Sipas disa juristëve, vendimi gjyqësor ka shkelje të rënda procedurale, të cilat janë konstatuar nga pala mbrojtëse. Në hetim, nga sa thonë ata, nuk janë përfshirë të gjithë, sidomos funksionarë të qeverisë së kaluar, të cilët dyshohet të kenë pasur lidhje me të dënuarit.
Ekspertët në fjalë ngrenë dyshimin se gjykata e mori vendimin duke u mbështetur në faktet e selektuara që ka dorëzuar pranë saj organi i akuzës e thonë se ka dhe prova të tjera që nuk janë paraqitur asnjëherë. Ambasadori i Francës në Maqedoni, Kristian Timonier u shpreh se hetimi i ndërkombëtarëve mbi rastet e dyshimta është i mundur, por, sipas tij, fillimisht drejtësia duhet të kërkohet në institucionet vendase.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, bëri thirrje të premten për një hetim të tillë pasi u mësua se 37 të akuzuarve për rastin e “Lagjes së trimave” iu dhanë 746 vjet burg; 8 prej dënimeve ishin me burgim të përjetshëm. Vetëm 4 nga të akuzuarit u lanë të lirë. Vendimi i gjykatës në Shkup ngjalli protesta në Prishtinë, Pejë e Gjilan. Tubuesit duken të bindur se të paditurit janë viktima të një komploti të ish-qeverisë maqedonase.