Rrjeti social më i madh në botë, Facebook, synon t’u ofrojë të gjithë përdoruesve të vet një teknologji të re për t’i mbrojtur nga përgjimi. Por nisma kritikohet nga disa vende, të cilat kërkojnë akses te platforma për të ndjekur betejën kundër abuzuesve dhe terrorizmit.
Britania e Madhe, Australia dhe SHBA-ja kanë apeluar Facebook të heqë dorë nga planet për rritjen e sigurisë së shërbimit për gati 2,4 miliardë përdorues.
Gjiganti i rrjeteve sociale, që zotëron edhe platformat si Whatsapp apo Instagram, synon të aplikojë teknologji të sofistikuara që e bëjnë të pamundur përgjimin e komunikimeve mes përdoruesve nga palët e treta.
Kjo prek edhe institucionet ligjzbatuese, të cilat druhen se do e kenë më të vështirë të hetojnë abuzuesit e fëmijëve, terroristët apo pjesëtarët e organizatave kriminale që i përdorin këto aplikacione.
Ndaj në një letër të hapur të firmosur të enjten në Uashingtonin, ministrja e Brendshme britanike, Priti Patel, dhe ministri amerikan i Drejtësisë, Uilliam Bar, kërkuan akses të pakufizuar në teknologjinë e kompanisë.
“Facebook duhet të angazhohet në dialog konstruktiv me ne, gjë që nuk ka ndodhur deri tani. Komunikimi i shifruar krijon hapësira për terroristët, për krimin e organizuar dhe abuzuesit e fëmijëve, dhe cenon sigurinë kombëtare. Kjo marrëveshje që firmosim sot ka për ta bërë më të lehtë shkëmbimin e provave inkriminuese me kompanitë në Amerikë,” u shpreh ministrja britanike, Patel.
Facebook mbron pikëpamjen se duhet respektuar e drejta e çdo përdoruesi për biseda private në internet.
Teknologjia antipërgjim është aktualisht në përdorim për mbi 1,5 miliardë përdoruesit e Whatsapp, dhe pritet të zbatohet edhe për e aplikacionet Facebook Messenger dhe Instagram.