Kryeministri francez Manuel Valls lëshoi një deklaratë tepër të fortë përpara raundit të dytë të zgjedhjeve rajonale në Francë, duke shënjestruar pikërisht forcën politike që rezultoi triumfuesja e raundit të parë.Strategjia e Frontit Nacional, u shpreh kreu i qeverisë ndërsa merrte në analizë avancimin e ekstremit të djathtë, mund ta çojë vendin drejt luftës civile. Dy janë vizionet për këtë vend, e njëri prej tyre, njëri, ai i ekstremit të djathtë në thelb predikon përçarjen. Bëhet fjalë për atë lloj përçarje që mund të çojë drejt një konflikti të brendshëm, ishin komentet e tij për televizionin France Inter. Kryeministri socialist prej disa ditësh po i fton intensivisht zgjedhësit franceze ta hedhin votën e tyre për kandidatët konservatorë në balotazhin që nuk do të ishte çudi të fitohej nga partia e Marine le Penit. Pas raundit të parë të dielën, Fronti Nacional kryeson në 6 prej 13 rajoneve të Frances kontinentale. Megjithatë, sondazhet e fundit lënë të kuptohet se tre socialistë në katër do t’i drejtohen qëndrave të votimit në veri dhe në jug të vendit me qëllimin t`ia heqin trofenë nga dora ekstremit të djathtë duke votuar për kundërshtarët e tyre historikë, republikanët e Nicolas Sarkozisë. Një anketim i realizuar nga instituti Tns-Sofres për gazeten “Le Figaro”, tregon se në rajonin Nord-Pas-de-Calais, ku fitoi Le Pen, shumicën e votave të raundit të dytë mund ta marrë kandidati republikan Xavier Bertrand, e po kështu, sipas të njëjtit raport, republikani Christian Estrosi do të mposhtë mbesën e Le Penit, Marion në Provence-Alpes-Cote d’Azur në jug.
Seuli thotë se Koreja e Veriut i ka dërguar armatim shtesë Rusisë
Koreja e Veriut e ka furnizuar rishtazi Rusinë me sisteme shtesë të artilerisë, për ta mbështetur në luftën e saj…