Valls: Nëse fiton FN, Franca drejt një lufte civile

Kryeministri francez Manuel Valls lëshoi një deklaratë tepër të fortë përpara raundit të dytë të zgjedhjeve rajonale në Francë, duke shënjestruar pikërisht forcën politike që rezultoi triumfuesja e raundit të parë.Strategjia e Frontit Nacional, u shpreh kreu i qeverisë ndërsa merrte në analizë avancimin e ekstremit të djathtë, mund ta çojë vendin drejt luftës civile. Dy janë vizionet për këtë vend, e njëri prej tyre, njëri, ai i ekstremit të djathtë në thelb predikon përçarjen. Bëhet fjalë për atë lloj përçarje që mund të çojë drejt një konflikti të brendshëm, ishin komentet e tij për televizionin France Inter. Kryeministri socialist prej disa ditësh po i fton intensivisht zgjedhësit franceze ta hedhin votën e tyre për kandidatët konservatorë në balotazhin që nuk do të ishte çudi të fitohej nga partia e Marine le Penit. Pas raundit të parë të dielën, Fronti Nacional kryeson në 6 prej 13 rajoneve të Frances kontinentale. Megjithatë, sondazhet e fundit lënë të kuptohet se tre socialistë në katër do t’i drejtohen qëndrave të votimit në veri dhe në jug të vendit me qëllimin t`ia heqin trofenë nga dora ekstremit të djathtë duke votuar për kundërshtarët e tyre historikë, republikanët e Nicolas Sarkozisë. Një anketim i realizuar nga instituti Tns-Sofres për gazeten “Le Figaro”, tregon se në rajonin Nord-Pas-de-Calais, ku fitoi Le Pen, shumicën e votave të raundit të dytë mund ta marrë kandidati republikan Xavier Bertrand, e po kështu, sipas të njëjtit raport, republikani Christian Estrosi do të mposhtë mbesën e Le Penit, Marion në Provence-Alpes-Cote d’Azur në jug.

Leave a Reply