Komisioni mban sekret komunikimin për blerjen e vaksinave antiCovid
Komisioni i Bashkimit Europian është nën akuzë për keqadministrim pasi po mban sekret faturën e blerjes dhe të shpërndarjes së vaksinave anti-Covid si dhe mesazhet që ka shkëmbyer presidentja Ursula von der Leyen dhe drejtori ekzekutiv i Pfizer, Albert Bourla.
Akuza është ngritur nga Avokati i Popullit i Bashkimit Europian që i ka lënë ekzekutivit një afat të dytë për të bërë transparencë.
Në një intervistë në Prill, Presidentja von der Leyen zbuloi se kishte shkëmbyer mesazhe me kreun e Pfizer, Bourla për rreth një muaj kur po negociohej kontrata për blerjen e vaksinave. Por në përgjigje të një kërkese për qasje tek këto mesazhe nga një gazetar, Komisioni tha se ato nuk ishin regjistruar.
“Mënyra në të cilën u trajtua kjo kërkesë për qasje në informacion publik nënkupton që nuk u bë asnjë përpjekje për të identifikuar nëse ekzistonte ndonjë mesazh me tekst”, tha Avokati i Popullit, Emily O’Reilly.
“Konstatojmë se kjo shkelje përbën keqadministrim”, thuhet në një deklaratë, ndërsa Komisionit i kërkohet që të kontrollojë sërish për mesazhet përkatëse dhe t’i përgjigjet rekomandimit deri më 26 Prill.
Një zëdhënës i Komisionit nuk pranoi të komentonte dhe u tha gazetarëve se ekzekutivi i BE-së do t’i përgjigjej Avokatit të Popullit në afatin e dhënë.
“Në të vërtetë, ne do t’i përgjigjemi Avokatit të Popullit të BE brenda afatit të caktuar. Derisa të japim përgjigjen tonë, nuk do të japim asnjë koment të mëtejshëm për këtë çështje”, tha zëdhënësi Eric Mamer.
Rregullat e BE-së kërkojnë që Komisioni të regjistronte dokumentet, ndërsa nuk ka ndonjë kërkesë specifike për të ruajtur mesazhet me tekst për sa kohë që ato nuk trajtohen si dokumente.
Rekomandimet e Avokatit të Popullit nuk janë të detyrueshme, por zakonisht ato nxisin një kontroll të thellë nga Parlamenti Europian.
Marrëveshja e negociuar përmes mesazheve me tekst dhe telefonatave, sipas asaj që tha vetë von der Leyen në intervistën me gazetën ‘New York Times’, ishte kontrata me vlerën më të madhe. Përmes saj u blenë vaksinat anti Covid-19.
Kur marrëveshja u shpall zyrtarisht në Maj, BE-ja kishte siguruar qindra miliona vaksina edhe nga disa prodhues të tjerë, duke përfshirë 600 milionë doza të tjera nga Pfizer, nga dy kontrata të mëparshme.