PËR TË QENË BRENDA VETES…
(Enkas për HEJZA-n)
Veç arti i mundëson njeriut kthimin në vetvete. Sado të jemi të zënë me punë, sado të flemë, do të vij ai çasti kur një cicërimë zogu, a pulitja e krahëve të fluturës, do të na e bëjnë të kthejmë kokën andej nga qëndron dielli, për të treguar se Universi, energjia, rrjedh edhe atëherë kur ne jemi të zënë me punë, edhe atëherë kur ne kontrollojmë orën secilën minutë; pastaj pas një minute harrojmë përsëri, edhe përsëri bëjmë të njëjtën lëvizje… dhe atëherë është era që lëviz, macja që vrapon, shiu që bie, fëmija që mësohet të vendosi këmbën në tokë… dhe unë që e di se gjithçka në jetë lind dhe zhbëhet në fjalë.
Ta zëmë sikur çdo ditë të jetë e barabartë me një anë mali që e ngjisim deri kur prekim zenitin. Ngjitjet e para që i bëjmë, i fillojmë me frikën. Frika na bën të mendojmë se mos ne jemi të parët që kalojmë këndej, se mos ne do të jemi të parët që do të gabojmë e do të përqeshemi, ne do të jemi të pakuptuarit?
Dhe përsëri frikë se mos pyetjet tona janë pavend, se mos këtë gjë a s’duhej ta dinim vetë? A mos do të dukemi budallenj nëse pyesim këtë apo atë pyetje…
Pastaj mali vazhdon të rritet dhe ne na kërkohet të shpejtojmë hapat, duke e matur kohën me vite, duke e matur kohën me orë.
Dhe njeriu meriton të jetë i lumtur, meriton të ndalet e të kuptojë, siç thotë Cohen-i, se njeriu është qendra e Orbitës së vet.
Dhe për të qenë ai brenda vetes që të mund të jetojë dhe jashtë, duhet të jetë me çastin, qoftë të ndalet njëherë për të parë ç’male ka kaluar, a sa prej pyetjeve që ka bërë, ka marrë përgjigje të sinqerta.
Kjo dhe veç kjo liri më duhet dhe e kërkoj, sepse frymëzimi nuk është diçka që vjen, frymëzimi rri me krijuesin. Ndonjëherë mund ta shtypim, apo ta shmangim, por ai nuk ik, sepse frymëzimi është shpirti ynë, sytë tanë që perceptojnë botën, universin.
E vërtetë që shumë gjëra mund të bëhen pengesa, por jo për frymëzimin. Një varg mund të rri peng i yni për shumë kohë, derisa do të vijë koha ta themi. Ndjesitë që i kemi udhëheqin shpirtin, i cili nuk e duron dot botën e konsumit, këtë botë të mbushur me shumë zgjedhje, por asnjë zgjidhje, ku gëlon fjala pará, udhërrefyes e libra që udhëheqin botën drejt konsumit. Por kjo besoj se gjithmonë ka qenë e ndarë kështu.
Nëse njerëzit janë të interesuar që të shkëlqejnë nga jashtë, ka dhe të atillë që shkëlqejnë nga brenda. Derisa ne ta kuptojmë që bota ec, energjia është më e madhe dhe është brenda nesh, do të gjejmë gjithmonë kohë për gjëra të cilat vërtetë ia vlen të jetohet me to, për të qenë të lirë në mënyrën tonë, për të pasur kontroll mbi jetën tonë.
Vepra në proces është gjithmonë poezia, por që paralelisht po krijohet dhe një prozë. Ajo trajton raportin midis njerëzve, duke e rrëfyer nga sytë e një fëmije, i cili lihej anësh nga fakti se ishte fëmijë, por ia mundësonin që ai të kishte qasje në bisedat e tyre, duke e kthyer atë në depo informacioni, pa ia dhënë lejen e kthimit prapa të informacionit. Kjo gjë ndoshta më pas ia mbolli idenë se çfarë mund të jetë lumturia dhe a do ta gjejë ndonjëherë, pasi nuk kishte as me kë ta ndante as kush ta besonte…
Këto peripeci të cilat janë realiteti i përditshmërisë, barten në një dimension tjetër kur takon një njeri i cili është identik me ty, e duke rrëfyer jetën e tij, ai të mëson dhe për jetën tënde…Në fakt, ka shumë kohë që e shkruaj, por pres që të marri formën që i takon ta ketë…