Letër nga Tirana
Në Tiranë po mbahet edicioni i 25-të i Panairit të Librit, organizuar nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë. Në hapje të Panairit u nënvizua një fakt alarmant dhe, natyrisht, i trishtueshëm për mbarë popullin shqiptar. U tha se rreth 80% e popullit shqiptar gjatë këtij viti nuk ka blerë asnjë libër, që i bie se, kjo përqindje përbën edhe numrin e përgjithshëm të shqiptarëve të shtetit amë që nuk e lexojnë librin!
Menjëherë, disa botues e personalitete, panelistë e analistë, filluan që të hedhin dyshime mbi këtë përqindje, duke i mëshuar faktit se populli shqiptar lexon shumë, se mosleximi është dukuri që kohëve të fundit që ka kapur mbarë Evropën!
Se a shitet libri shqip, se a lexohet apo jo, këtë e shpjegojnë vetë të dhënat e botuesve! Sot, librat që botohen në shqip dalin me tirazh mesatarisht prej 300 ekzemplarëve! Për hir të së vërtetës, ka edhe libra me tirazh të fryrë, siç ka edhe të dhëna propagandistike për shitje të librit të një personi publik!
Që nga viti 1990 numri i përgjithshëm i popullit shqiptar është përgjysmuar dhe gjysma tjetër përbëjnë botën e shqiptarëve në diasporë! Le të ndalemi te disa fakte që flasin për shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës, respektivisht për numrin e nxënësve, studentëve, mësimdhënësve, të cilët leximin e përditshëm të librit duhet ta kenë “aktivitet” primar, sepse edhe truri e shpirti duhet të ushqehen po aq rregullisht, siç ushqehet barku! Me fshehjen e fakteve, me mospërfilljen e dukurive, të problemeve serioze si dhe të dukurive që nuk na bëjnë nder si komb, nuk mund të dëshmohemi si popull i civilizuar. Vetëm nënvizimi i saktë i problemeve, vetëm kur t’i bëjmë transparente, ne mund të mobilizohemi për t’i evituar, për t’i tejkaluar dhe për t’i mundur të gjitha ato dukuri që, fatkeqësisht, si popull na rangojnë në pozitat e fundit të listës së lexueshmërisë në Evropë. Arsyetimi se në kushte të rënda ekonomike bie forca blerëse e librit, është hipokrizi më vete, sepse sot nuk kemi nxënës, që nga ciklet e ulëta e deri në mësime parauniversitare e universitare që nuk kanë smart-telefona e aparate që mesatarisht mund të kushtojnë nga 300-500 euro, shumë kjo e shpenzuar për libra do të përbënte një bibliotekë solide shtëpie!
Sipas të dhënave që dalin nga INSTAT-i, në vitin shkollor 2021/22 në arsimin parauniversitar të regjistruar kanë qenë 453.989 nxënës, prej të cilëve 278.138 në arsimin 9-vjeçar, respektivisht në 2200 shkolla të arsimit 8-vjeçar dhe të mesëm. Shqipëria aktualisht ka rreth 30 universitete publike dhe private, me rreth 320 fakultete, degë e programe studimore. Sipas të dhënave të INSTAT-it, nëpër këto fakultete studiojnë rreth 124 mijë studentë, mbi 26 mijë studentë të regjistruar nëpër universitete private.
Në Kosovë, në vitin 2021/2022, numri i nxënësve në arsim fillor-mesëm të ulët është 223,908, numri i nxënësve në arsimin e mesëm të lartë është 70.742, pra numri i përgjithshëm i nxënësve në institucionet publike parauniversitare është rreth 300 000. Për këta nxënës kanë qenë të angazhuar mbi 23000 mësimdhënës. Natyrisht, këtij numri të nxënësve duhet shtuar edhe nja 10000 nxënës që ndjekin mësimet nëpër vatra arsimore private. Në Kosovë janë 9 universitete publike, në të cilat vitin akademik e kanë startuar mbi 9 mijë studentë. Numri i stafit akademik është 772 profesorë. Po ashtu, funksionojnë 22 kolegje private ku mësimet i ndjekin 11093 nxënës. Numri i i përgjithshëm i studentëve në nivelin bachelor në vitin akademik 2020/2021, ishte 37149 studentë.
Thënë shkurt, në Kosovë, numri i nxënësve dhe studentëve në të gjitha nivelet e arsimit në sektorin publik dhe privat gjatë vitit 2020/2021, ishte gjithsej 430,811.
Rreth 1 milion nxënës, studentë, personel arsimor e staf akademik në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në viset e tjera etnike, lexojnë libër që ka tirazh prej 300-500-1000 ekzemplarë?! Dhe themi pastaj se “raporti i lexuesve shqiptarë me librin është mirë”?!
Mbi 5500 shkolla fillore e të mesme anekënd Shqipërisë, Kosovës dhe viseve të tjera etnike dhe prapë të mos shitet libri shqip! Po sikur vetëm këto shkolla të ishin parapagues të rregullt të botimeve të librit shqip?! A kanë biblioteka të veta këto vatra arsimore! A ka ardhur koha që licencat e këtyre shkollave të kushtëzohen pikërisht me pasjen e bibliotekave! A ka në buxhetet vjetore të ministrive për arsim zë të veçantë të caktuar për blerje të librave për bibliotekat shkollore? A ka ardhur koha që lënda e shqipes të ngritët në nivel të lëndës, për shembull, të anatomisë apo fiziologjisë dhe të mos jepet nota kaluese për asnjë nxënës e student, i cili nuk e lexon fondin e titujve që përbëjnë kolonën e lekturave për secilën klasë e nivel shkollor. Një vendim i këtillë do t’i detyronte, mbi të gjitha, edhe mësimdhënësit që të blejnë e të lexojnë libra! Përfundimisht, duhet të konstatojmë si komb se shqiptarët nuk lexojnë libra. Vetëm kur të jemi objektivë në këtë konstatim, do të mund të ndërmerren iniciativa kombëtare për ta përmirësuar këtë gjendje të mjerueshme. /HEJZA/