Bankat e sistemit fituan 5.4 miliardë lekë ose mbi 40 milionë dollarë vetëm në dy muajt e parë të vitit.
Të dhënat e fundit nga shoqata e bankave tregojnë se krahasuar me një vit më parë, fitimet e e sistemit bankar gati u dyfishuan, dhe ky është viti i dytë me radhë kur fitimet zgjerohen me këtë ritëm.
Sipas të dhënave që raporton shoqata, treguesit e përfitueshmërisë u përmirësuan fort në të gjithë spektrin e tyre. Më saktësisht, fitimi ndaj kapitalit të aksionerëve arriti në 28.3 për qind, ndërsa kthimi nga asetet kërceu në 2.5 për qind.
Këta tregues dëshmojnë për rezultate të forta financiare të bankave edhe pse ekonomia është e mbërthyer nga rritja e dobët e prodhimit.
Ekspertët thonë se një nga shkaqet kryesore është stabilizimi dhe madje rënia e lehtë e kredive të këqija që i çliron bankat nga detyrimi për të ngrirë fonde rezervë si garanci për top. Vitet e shkuara, provigjonet kanë marrë një pjesë të rëndësishme të të ardhurave të bankave, duke bërë që disa prej tyre madje të shënojnë humbje edhe pse në tërësi sistemi ka qenë gjithmonë me fitim.